Ka filluar edhe sot punimet Komisioni Hetimor për shkarkimin e Republikës, Ilir Meta. Në fjalën e tyre kryetari i Komisionit Alket Hyseni së bashku me anëtaren Klotilda Bushka, thanë se nuk kanë nevojë për prova të reja, pasi ato që kanë mbledhur, mjaftojnë.
“Fillimisht më lejoni të përcaktoj edhe njëherë se në cfarë faze të hetimit procedurial jemi. Në vijim të punës, të këtij komisioni hetimor, pasi kemi përfunduar administrimin e provave. Jemi në fazën ku nuk kemi më nevojë për prova të reja. Provat janë administruar para Komisionit. Jemi një komision hetimor që po diskutojmë mbi shkeljet e bëra të Presidentit nga 49 deputetë që kanë firmosur këtë nismë. Objekti i hetimit është hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga presidenti, gjatë fushatës dhe ditën e heshtjes zgjedhore dhe në 25 prill, janë kundër kushtetutës,’ tha ajo ndër të tjera.
Në vijim, Bushka shtoi se “pretendimet lidhen me këto shkelje: Shkelja e betimit të Presidentit që bënë fjalë për nenin 88 pika 3 e Kushtetutës, shkelja e detyrimeve kushtetuese të Presidentit për të qenë përfaqësues i unitetit të popullit, neni 86 pika 1 e Kushtetutës, shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtruar aktivitet tjetër përveç aktiviteti të Presidentit neni 89 i Kushtetutës, shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtruar asnjë kompetencë që nuk është e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj, neni 94 i Kushtetutës, cenimi i të drejtave kushtetuese të individëve, cenimi i procesit zgjedhor, cenim i sigurisë dhe i rendit, cenim i marrëdhënieve me partnerët strategjik të Shqipërisë, cenim i imazhit dhe reputacionit të vendit, cenim i figurës së institucionit të Presidentit, abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit”.
“Ky komision duhet të hetojë dhe të jap konkluzione në lidhje me ekzistencën e këtyre shkeljeve si dhe të vërtetojë që këto shkelje janë të rënda në mënyrë që të japim përgjigje kërkesës së kolegëve deputet. Në bazë të nenit 90 pika 2 të Kushtetutës shprehimisht thuhet: “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”, prandaj bazuar në këtë parashikim të Kushtetutës është detyrë e këtij komisioni të shqyrtojë, të hetojë dhe të analizojë dhe të jap gjetje në lidhje me ekzistencën e shkeljeve, dhe nëse shkeljet nga ky proces hetimor janë të një natyre të rëndë, për të justifikuar propozimin për shkarkimin e Presidentit nga 49 deputetë”, tha ajo.
Hyseni kërkoi nga të gjithë anëtarët që shqyrtimi i prpvave të bëhet në mënyrë të ftohtë, pa qenë emocional.
“Në bazë të provave të administruara, postimeve të ndryshme, pamjeve filmike, reagimet e komuniteteve, që të gjykohet mbi bazë të respektit të Kushtetutës, të ligjeve të Republikës dhe të jemi sa më objektiv, përtej emocioneve dhe bindjeve politike dhe përkatësisë politike të secilit nga ne.
09:19h-Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës shqyrton sot raportin me dokumentacionin e siguruar
Komisioni Hetimor për hetimin dhe shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, ashtu siç u paralajmëruar dje, do të mblidhet sërish sot për të përgatitur raportin paraprak.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar një ditë më parë, kryetari i Komisionit Hetimor tha se janë administruar prova të mjaftueshme për shkarkimin e Metës, si deklarata, pamje filmike, CD dhe takime të Kreut të Shtetit, si dhe disa shkresa nga SHISH. E gjithë ajo që dihet është se bëhet fjalë për disa informacione që SHISH ka mbledhur për kreun e shtetit, para dhe gjatë fushatës elektorale, gjatë monitorimit të takimeve dhe dhe lëvizjeve të Presidentit.
Dje ishte dita e fundit që Kreu i Shtetit kishte mundësinë të merrte pjesë në seancën dëgjimore, por refuzoi sërish. Me anë të një letre, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Meta tha se ky Komision e ka humbur mundësinë për të dëgjuar Metën, më datë 10 maj, siç edhe e kishte kërkuar vetë Kreu i Shtetit.
Kjo letër solli edhe reagime në mbledhje. Disa nga anëtarët e Komisionit Hetimor për hetimin dhe shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, sugjeruan faktin se duke cituar nenin dhe kodin e procedures, Presendti mund të sillet edhe me forcë për raportim në Komision.
Përndryshe raporti përfundimtar për hetimin e Presidentit Ilir Meta do të dorëzohet më 28 maj.
Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës në fund të punës së tij, do t’i paraqesë Kuvendit një raport. Ky i fundit, nëse e voton shkarkimin e Metës, e çon çështjen më pas në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuesja është ajo që ka vendimin përfundimtar mbi fatin politik të presidentit, nëse ai qëndron në detyrë apo jo.



