
Kryeministri serb Millosh Vuçeviç ka thënë se tashmë serbët e bashkuar janë realiteti i ri politik me të cilin vendet e tjera duhet të mësohen.
Kjo deklaratë e kreut të ekzekutivit serb erdhi pas mbledhjes së “Parlamentit Gjithëserb”, në Beograd, me titullin “Një komb, një parlament, Serbia dhe Srpska”.

Shumëkënd e pengon forcimi i Serbisë. Shumë po shqetësohen nga politika e presidentit Aleksandër Vuçiq që ka rikthyer krenarinë kombëtare, unitetin dhe harmoninë. Ne jemi sot më të bashkuar, më të fortë. Të gjithë duhet të mësohen me këtë realitet të ri politik.
Qeveria serbe dhe entitetit boshnjak Republika Srpska miratuan një Deklaratë për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike si dhe Ardhmërinë e Përbashkët të Popullit Serb.
Vetë presidenti Aleksandër Vuçiç tha se dokumenti i referohet Marrëveshjes së Dejtonit por nuk përmban ndonjë pikë që flet për përçarje në Bosnje dhe Hercegovinë. Sipas kësaj deklaratë, populli serb përfaqëson një entitet të vetëm.
Ndërkohë, për një pjesë të analistëve serbë, kjo lëvizje e Vuçiqit dhe Dodikut është manovër politike për të rikuperuar pikë nga kalimi i Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në OKB.
Një pjesë e Deklaratës i referohet edhe Kosovës, shtetësinë e së cilës Serbia nuk e njeh dhe thotë se duhet të zbatohet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të gjitha aspektet e saj.



