Arrestimi i Ermal Beqirit dhe hetimet ndaj personazheve të përfshirë në dosje të bujshme kriminale kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si institucionet shqiptare ndjekin aktivitetin e personave të shpallur në kërkim jashtë vendit.
Duke komentuar situatën në “MCN Live”, analisti Denis Dyrnjaja u ndal te rasti i Beqirit, duke ngritur dyshime nëse institucionet shqiptare kanë pasur informacion mbi aktivitetet e tij ekonomike jashtë vendit dhe nëse këto të dhëna i janë referuar strukturave të drejtësisë.
Mendoj se në rastin e Ermal Beqirit, para disa vitesh Rama mblodhi të gjithë ambasadorët dhe trupën diplomatike që ne kemi nëpër botë që ata të punonin për të afruar sa më shumë investime. Duke mësuar që Beqiri kishte dy kompani në Austri, besoj duhet të ketë pasur dijeni ambasadori ynë atje. Pyetja është: a ka informuar ambasadori ynë SPAK-un për këtë? Ambasada duhet të raportojë në Ministrinë e Jashtme, por nëse personi është në kërkim, raporton dhe në SPAK. A e ka bërë Oljan Tanishi këtë?
Sipas tij, fakti që një person i shpallur në kërkim ka mundur të hapë biznese jashtë vendit në Slloveni duhet të kishte shërbyer si një sinjal alarmi për institucionet përgjegjëse.
Mësova këtë element dhe doja të dija se fakti që Beqiri ka hapur dy biznese, një në prill të vitit 2026, në kushtet kur ai ishte person në kërkim, mendoj se duhet të ngrinte një lloj alarmi edhe në këtë drejtim. Ambasadori në Slloveni duhet të ketë listë sipërmarrjesh. Nëse e ka pasur me emrin e vet Ermal Beqiri, duhet të ketë një kërkesë llogarie për këtë neglizhencë, nëse nuk e ka raportuar.
Dyrnjaja u shpreh gjithashtu se hetimet duhet të fokusohen më shumë te pasuritë dhe aktivitetet ekonomike të personave të përfshirë në dosje të rëndësishme, duke përmendur edhe rastin e Ergys Agasit.
Nga ana tjetër, prokuroria në rastin e dy personazheve kaq kompleks si Agasi dhe Beqiri duhet të ishte më intensive te hetimet për pasuritë e tyre. Kanë apo jo biznese këta persona jashtë vendit. Ne si gazetarë nuk bëjmë dot sikur nuk e dimë që Ergys Agasi nuk është në Shqipëri, SPAK kaq duhet të thotë: është apo jo.
Analisti kritikoi mënyrën se si, sipas tij, trajtohen personat në kërkim dhe kërkoi një qasje më të unifikuar nga institucionet e drejtësisë.
Çështja është se si sillet drejtësia me këta personazhe që janë në kërkim, se nuk mund të jetë që disa dihen dhe disa nuk dihen. Ka diçka që nuk shkon me këta persona në kërkim. E lënë të ikë personi në drejtim të paditur dhe pastaj i shpallin në kërkim.
Në përfundim, ai theksoi se qëllimi i krijimit të SPAK-ut ka qenë ndërhyrja efektive ndaj personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.
Ne e krijuam SPAK-un që të bëjë ndërhyrje efektive operative. Të hyjë në burg ai që duhet të hyjë, jo t’i ndajmë ca të njerkës e ca të nënës. SPAK duhet të bëjë ndërhyrje efektive sipas ligjit.



