
Vizita surprizë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në liqenin e Ujmanit, ka revoltuar homologun e tij serb. Presidenti Aleksander Vuçiç, ka thënë se kjo vizitë ka cenuar paqen mes dy vendeve. Vuçiç fillimisht ka dërguar një ankesë në NATO dhe më pas ka kërkuar që forcat speciale të Serbisë të viheshin në gatishmëri. Vuçiç i revoltuar ka thënë se nga 26 marsi e deri më sot, Kosova ka kërcënuar për herë të tretë paqen dhe qetësinë e serbëve.
“Me hyrjen e njësive speciale ROSU në veri të Kosovës u kërcënua dhe sulmua paqja. Operacioni përfshiu 110 deri në 130 anëtarë të forcave speciale të Kosovës, të gjithë shqiptarë, që kanë zënë rrugë hyrëse dhe të gjitha objektet pranë Ujmanit, duke keqtrajtuar brutalisht disa persona dhe duke mbajtur peng katër. Shqiptarët e armatosur në veri të Kosovës, sipas marrëveshjeve që kemi arritur, mund të shfaqen vetëm me përmbushjen e dy kushteve: me miratimin e NATO-s dhe me pëlqimin e plotë të komunitetit lokal serb. Nuk e di nëse kanë pasur pëlqimin e NATO-s, por kushti i dytë është shkelur plotësisht ”.
Presidenti Thaçi bëri një xhiro në Ujman me skaf, e më pas dha një deklaratë për mediet, duke falenderuar serbët që e kanë pritur dhe qerasur me kafe.
“Vendosa të bëjë një xhiro lundrimi në liqenin e Ujmanin. Ishin emocione të veçante. Më priten shumë mirë, me qiten kafe. Jo si president – qytetar por si qytetar. Dëshiroj t’i falënderoj serbët që më qerasën për kafe. Ne punojmë për një Kosovë të perspektivës atlantike, dhe ritheksoj që të pijë kafe edhe me serbët e këtij lokaliteti, unë bëra me ta një bisedë miqësore”
Por, vizita e tij është kritikuar edhe në Prishtinë, ku në atë kohë protestonte opozita, nën drejtimin e Albin Kurtit, të cilët janë shprehur që në fillim kundër idesë për ndryshimin e kufijve.
“Hashim Thaçi duhet t’i ngelet së kaluarës. Populli nuk i nënshtrohet një njeriu në idenë e tij për shkëmbim të territorit”, ka thënë Kurti gjatë tubimit. Po ashtu edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Xhelal Sveçla, ka thënë se me vizitën e tij në Ujmanë Hashim Thaçi tregoi se sa i rrezikshëm është për Kosovën si dhe policinë e saj.



