
Ndërsa afrohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te aspekti festiv, por edhe te sensibilizimi për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe kundër çdo forme dhune apo shfrytëzimi të tyre.
Suela Koçibellinj, aktiviste për të drejtat e fëmijëve, e ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, theksoi se shumë fëmijë në Shqipëri janë të detyruar të rriten para kohe për shkak të kushteve familjare apo sociale.
Shumë fëmijë marrin rolin e të rriturit që në moshë të vogël, punojnë, kujdesen për prindin tjetër pas divorcit, bëhen mbrojtës të nënës, ose përballen me mungesën e njërit prind.
Kjo është një formë e fëmijërisë së vjedhur.
Ka dallim mes një adoleshenti që punon për të fituar përvojë ndërkohë që ka një familje të qëndrueshme dhe të ngrohtë, dhe një fëmije që punon për të siguruar ushqimin apo mbijetesën e përditshme.
Edhe nëse fëmijët arrijnë të përballojnë këtë barrë në fëmijëri, pasojat ndihen më vonë, shpesh ata nuk duan të hyjnë në marrëdhënie apo kanë frikë të krijojnë një familje.
Nga ana tjetër, psikologia Almeida Xhaferi vuri theksin te pasojat emocionale të dhunës, jo vetëm fizike por edhe asaj emocionale.
Në shumë raste, fëmijët që jetojnë me prindër të divorcuar bëhen ndërmjetës midis tyre, duke marrë një përgjegjësi të rëndë për moshën që kanë. Ata bëhen ‘paqebërësit’ e shtëpisë, një rol që krijon një boshllëk të thellë emocional.
Mungesa e ngrohtësisë dhe e mbështetjes emocionale është një formë dhune që nuk shihet, por lë plagë të thella.
Ka fëmijë që rriten në familje të ‘ftohta’, ku nuk ka përqafime, komunikim apo mbështetje emocionale. Në pamje të jashtme duket një familje normale, por fëmija rritet me një boshllëk të madh në shpirt. Ai nuk ka parë kurrë një përqafim të prindërve apo një fjalë të ngrohtë, dhe kjo është dhunë emocionale
Dedikoheni 30 minuta fëmijëve në ditë për te folur dhe komunikuar me ta, ata këtë duan, ngrohtësi nga ju, gjejeni kohen për fëmijët.
Të dyja ekspertet ndajnë të njëjtin mesazh- fëmijët kanë nevojë për më shumë se lodra apo dhurata, ata kanë nevojë për dashuri, mbështetje emocionale dhe një mjedis të sigurt për t'u rritur.



