
Në mediat italiane, por edhe ato shqiptare, njihen prej vitesh si binjakët hajdutë. Të kthyer në mankthin e banorëve të zonave ku kryejnë vjedhjet, vëllezërit Trushi janë një “dhimbje koke” prej vitesh edhe për prokurorinë. Organi i akuzës i ka provat për vjedhjet, por nuk arrin të provojë se cili është fajtori. Kjo për shkak të identitetit të njëjtë gjenetik.
Katër vjet më parë, gjatë një ndjekjeje natën nga policia, ata braktisën mjetin, një “Mercedes Benz” A Class, dhe u arratisën. Pasi ekzaminuan makinën, hetuesit arritën të gjenin një cigare, nga e cila morën material gjenetik. Analiza nxori se i përkiste Eduard Trushit, në atë kohë 30 vjeç.
Pasi prokuroria ngriti akuzën, ai u paraqit në sallën e gjyqit bashkë me të vëllanë binjak, Edmond Trushi. Gjykata vendosi lirimin e tyre, pasi nuk mund të përcaktohej kush ishte autori i vjedhjeve. Vëllezërit Trushi janë binjakë monozigotë dhe kanë kod të njëjtë gjenetik.
Kjo u dha mundësi vëllezërve Trushi ta vijonin të pashqetësuar “aktivitetin” e tyre, duke u shtrirë në disa zona të veriut të Italisë. Gjatë një grabitjeje në një shtëpi në Verona, njëri prej vëllezërve përleshet me pronarin dhe i bie kapuçi. I akuzuar është sërish Eduard Trushi, por gjykata detyrohet ta lirojë sepse nuk arrin të provojë cili nga të dy ka qenë.
Një ekspert i policisë shkencore thotë se për të kapur ndryshimin minimal në ADN që bën të mundur inkriminimin e njërit ose tjetrit vëlla, duhen analiza komplekse në laboratorë të specializuar.
Binjakët Trushi janë identikë në gjithçka, përveçse kur vjen fjala për gjurmët e gishtave. Por kjo zgjidhet me një palë dorashka dhe ata këtë detaj e kanë pjesë të “profesionit”.
Pavarësisht se vjedhjet e tyre janë të panumërta, shumica të provuara - madje në një rast u janë sekuestruar 25 mijë euro kesh, 5 orë Rolex, dhe bizhuteri të çmuara – ata vijojnë t’ia hedhin drejtësisë pikërisht për shkak të një përqindjeje minimale në kodin gjenetik, që i ndan nga njëri-tjetri. Ata kanë mësuar si ta përdorin këtë në favor të vet dhe, me veshjen dhe modelin e flokëve të njëjtë, hyjnë e dalin “pa u lagur” nga gjykatat e Italisë së Veriut.



