
Pas prokurorisë së Tiranës dhe Durrësit një tjetër organ i akuzës ka nisur hetimet për pasojat e tërmetit që tronditi Shqipërinë më 26 nëntor. Prokuroria e Kavajës njofton se kërkon informacion të hollësishëm për evidentimet e dëmtimeve nga tërmeti.
Prokuroria informon se nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar tre institucioneve, konkretisht, Bashkisë Kavajë, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Komisariatit të Policisë Kavajë ajo kërkon informacion të hollësishëm mbi evidentimin e dëmeve të objekteve apo për persona të lënduar nga ky tërmet.
Nëpërmjet saj Prokuroria kërkon të informohet nga institucionet e lartpërmendura për çdo rast të evidentuar, i cili duhet të konsistojë si: në rastet kur rezultojnë dëmtime të karakterit të rëndë të ndërtesave të cilat kanë krijuar probleme dhe pasojë në shëndetin e njerëzve, të dëmtimeve që rezultojnë për shkak të shkeljeve të elementëve teknikë të ndërtimit të cilat konsiderohen si të papërshtatshme për banim duke ju referuar zbatimit të projekteve, rastet kur do të vendoset mospërdorimi i tyre për shkak të rrezikshmërisë dhe shembja e tyre etj.



