Në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste të mbledhur pasditen e sotme në Fier, Kryeministri Edi Rama duke folur për rendin tha se jemi në shifra jashtëzakonisht pozitive dhe vazhdimisht ka pasur rënie të kriminalitetit dhe ulje të numrit të vrasjeve si dhe jemi vendi me numrin më të ulët të vjedhjeve në Europë.
Ai deklaroi se është fakt se niveli i sigurisë në Shqipëri është shumë i rritur.
Te drejtësia kam parasysh korrupsionin dhe krimin.
Për shkak të reformës në drejtësi dhe punës që është bërë me forcat e rendit, jemi sot në një fazë revanshi të rëndësishëm ndaj krimit të organizuar dhe kjo nuk është diçka që bëhet se do ta bësh ti dhe e bën, por kërkon shumë kohë, shumë durim, shumë sofistikim, sepse krimi i organizuar ishte i shtrirë këmbëkryq në të gjithë territorin.
Sot është tkurrur në vatra të caktuara, por me krijimin e SPAK dhe me fokusimin tani të të dyja palëve se deri dje thuhej policia, policia, por aleati më i madh i krimit të organizuar në Shqipëri, ka qenë prokuroria dhe gjykata, nuk ka qenë policia.
Po të shikosh disa statistika të thjeshta, sa kriminelë, po flas për kriminelë vrasës, përdhunues, sa prej tyre kanë rikryer vrasje, përdhunime, mbasi policia i ka arrestuar çuar në gjykatë dhe nxjerrë në sallë, janë qindra.
Tani kemi hyrë në revansh, shteti, jo qeveria. Qeveria ka Ministrinë e Brendshme, e cila është përgjegjëse për punën e policisë.
Por shteti ka SHISH që është futur në një fazë komplet tjetër, edhe kundër krimit të organizuar, edhe kundër korrupsionit, por tani është edhe SPAK.
Çfarë keni parë në periudhën e fundit me arrestime figurash dhe profile të larta krimesh të organizuar, është vetëm fillimi i fundit që do të thotë ka filluar fundi i pozicionit të krimit të privilegjuar në zona të caktuara të Shqipërisë.
Do të jetë shumë e afërt koha, kur të gjitha këto vatra do shuhen dhe gjithë ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajo të rrinë në Shqipëri se një pjesë ja kanë mbathur, do përfundojnë aty ku kanë shkuar ata që janë provat e gjalla se këtu nuk ka asnjë kompromis me krimin e organizuar dhe se luftën e filluar dhjetë vjet më parë do ta fitoj shteti, pa kthim.
Një epokë e gjatë të fortësh me statuse speciale në botën e krimit të organizuar do mbyllet pa kthim dhe nëse për krimin e organizuar përdoret botërisht shprehja bota e nëndheshme, ata do kenë bishtat e tyre, jetën e tyre, por jo mbi dhe, nën dhe.
Mbitoka e Shqipërisë do jetë e qytetarëve shqiptarë, por lufta e shtetit do bëhet me minjtë e nëntokës, por jo me mexhelise e deri në fonde publike.
Çdo ditë dhe çdo muaj do shikoni që veprimi ndaj krimit të organizuar do jetë shembullor.
Ndërsa për luftën kundër korrupsionit deklaroi se ka dy pozicione të dallueshme në mexhelisin e debatit publik, njëri drejtësinë e re e solli Amerika dhe pozicioni tjetër, që nuk ka drejtësi të re, por ka “një SKAP që po na kap, se e ka kapur Edi Rama.”
Por sipas tij, të dyja këto janë të pavërteta.



