
Gazetari Klodian Tomorri në studion e lajmeve në MCN TV ka folur lidhur me krizën energjike dhe vendosjen e fashës së energjisë e cila pritet të katërfishojë faturat për mbi 55 mijë abonentë familjarë.
Ai tha se gjatë muajve të dimrit pritet që kjo shifër të jetë më e lartë ndërsa bëri një mesatare se ato familje që aktualisht paguajnë 100 mijë lekë të vjetra faturë energjie në muaj do të paguajnë 400.
Sipas tij kjo është një krizë shumë e rëndë dhe ajo që po ndodh është rrënimi total i kompanive publike të energjisë, ndërsa theksoi se zgjidhja e vetme e kësaj mbetet mundësia që në muajit në vijim të kemi reshje shiu.
Shifra prej 55 mijë familjesh që pritet të preken nga vendimi i qeverisë është një shifër mesatare vjetore. Mesatarisht janë 55 mijë familje që kalojnë konsumin e 800 kw/h, por në dimër është më e madhe kjo shifër ndërsa në muajit e verës dhe pranverës është më e ulët. 4-fishimi do të thotë se nëse sot tarifohet me 9.5 lekw kw/h nga hyrja në fuqi do të tariforet me çmim tregu dhe ai është 35 lekë të reja për kw/h dhe se sa shkon fatura për një familje do të varet nga konsumi i familjes. Por ato që e kalojnë këtë shifër, nëse sot paguajnë 100 mijë lekë të vjetra nga 1 tetori do paguajnë 400 mijë lekë dhe kjo do ketë pasoja të konsiderueshme në buxhetin e tyre. Kjo është një krizë shumë e rëndë dhe ajo që po ndodh është rrënimi total i kompanive publike të energjisë. Është një krizë e nisur që vitin e kaluar në atë kohë kompania përgjegjëse për furnizimin e energjisë elektrike ishte OSHEE, dhe ajo që ndodhi është se ajo shkoi në pamundësi financiare pra u rrënua. Shumë shpejt dhe KESH do të ngrejë duart lart. Tani Shqipëria ka vetëm një shpresë për të shmangur skenarin e rrëzimit të gjithë sektorit të energjisë, ajo është që të bjerë shi dhe nëse do të ketë shi në muajit e mbetur situata mund të përmirësohet ndjeshëm. Por nëse thatësira vazhdon atëherë situata do të jetë dramatike, jo vetëm për energjinë, por edhe për buxhetin e shtetit. Në pamje të parë duket se janë një pjesë e vogël që do preket, por relativisht është i madh se kemi 4-fishim të atyre që preken.
I pyetur nëse rezulton të kemi dështim në menaxhimin e rezervave hidrike dhe nëse organet e prokurorisë duhet të hetojnë, Tomorri tha se kemi një sektor që është keq menaxhuar dhe në tërësi ka pasur një reformë energjetike tashmë të dështuar, teksa shtoi se ka gjithmonë vend vend për dyshime për keq menaxhim për interesa ryshfeti.
Inflacioni me të cilin vendi po përballet është i paprecedentë. Kemi pasur përdorim të kaskadës për qëllime elektorale dhe këto janë elementë që kanë ndikuar në përkeqësimin e krizës por duhet thënë se kjo krizë është pasojë e dështimit të reformës energjetike. Mungesa e burimeve të energjisë ka ndikuar në këtë krizë. Kemi një sektor që është keq menaxhuar, në tërësi ka pasur një reformë tashmë të dështuar pasi nuk prodhoi rritjen e kapaciteteve të qëndrueshme të vendit dhe sektori energjetik sot është kthyer aty ku ishte në 2013 dhe ndoshta dhe më keq. Mund të them se ka gjithmonë vend për dyshim, energjia është sektor i cili është kritik dhe i rëndësisë së veçantë, është sektor që përdor dhe qarkullon nivel të jashtëzakonshëm fondesh, janë fonde që shpenzohen nga kompani publike në tendera që shpesh mesa duket nuk janë eficentë dhe nuk sjellin përmirësim të shërbimit dhe rritje të kapaciteteve të sektorit në tërësi. Energjia është e mirë publike, kaskada e Drinit aset publik dhe sigurisht është në detyrë të organeve që të verifikojnë se si është menaxhuar aq më tepër në këtë situatë ku vendi ndodhet në krizë të thellë energjetike.



