Shefi i njohur amerikan i kuzhinës, Anthony Bourdain, që mbajti mbërthyer pas ekranit shikuesit e “CNN” në mbarë botën, është ndarë nga jeta në moshën 61-vjeçare.
Lajmin tragjik e konfirmoi vetë gjiganti mediatik CNN të premten, duke theksuar se Bourdain u vetëvra në dhomën e hotelit.
“Me trishtim të jashtëzakonshëm, ne konfirmojmë vdekjen e mikut dhe kolegut tonë, Anthony Bourdain”, tha CNN në një deklaratë të premten në mëngjes.
“Dashuria e tij për aventura të mëdha, miqtë e rinj, ushqimin, pijet dhe historitë e shquara të botës, e bënë atë një narrator unik. Talentet e tij kurrë nuk pushuan së na mahnituri dhe ne do të na mungojë shumë. Lutjet tona janë me vajzën e tij dhe familjen në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”, vazhdon më tej reagimi i gjigandit mediatik.
Bourdain ishte në Francë duke punuar për një episod të ardhshëm të serialit të tij për “CNN”, “Parts Unknown”.
Ai u gjet i pajetë nga miku i tij i ngushtë, Eric Ripert, kuzhinier francez, në dhomën e tij të hotelit të premten në mëngjes.
Bourdain ishte mjeshtër i zanatit të tij së pari në kuzhinë dhe pastaj në media. Nëpërmjet emisioneve televizive dhe librave të tij, ai ndihmoi audiencat të mendonin ndryshe për ushqimin, udhëtimin dhe veten e tyre.
Ai bëri fushatë për kushte më të sigurta të punës për stafin e restoranteve.
![]()
E dashura e Bourdain, aktorja Asia Argento, tha se ajo ishte e shkatërruar.
Në një deklaratë të postuar në Instagram, ajo shkroi: "Anthony dha gjithçka në gjithçka që ai bëri. Fryma e tij e shkëlqyer dhe e patrembur preku dhe frymëzoi aq shumë, dhe bujaria e tij nuk njihte kufij. Ai ishte dashuria ime, shkëmbi im, mbrojtësi im. Unë jam e shkatërruar. Mendimet e mia janë me familjen e tij. Unë do të kërkoj që ju të respektoni privatësinë e tyre dhe timen".
Kjo është vetëvrasja e dytë brenda një jave e një personazhi me shumë popullaritet në SHBA.
Vdekja e Anthony Bourdain vjen vetëm tre ditë pasi stilistja amerikane Kate Spade, e cila ndërtoi një perandori të modës me markën e saj, u gjet gjithashtu e vetëvarur në apartamentin e saj në Nju Jork.



