
Një person është vënë në prangat e policisë lidhur me aksidentin me tetë të vdekur të ndodhur në orët e para të mëngjesit të mëngjesit të së martës në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet.
Në pranga ka rënë pronari i mjetit Agustin Gjeta 25 vjeç, i cili kishte dhënë makinën me qira tek drejtuesi i mjetit, i cili humbi jetën në aksident.
Ndërkohë janë identifikuar tre nga kufomat dhe bëhet e ditur se që të gjithë viktimat janë nën 30 vjeç dhe bëhet fjalë për klandestinë nga Pakistani.
Viktimat kanë pasur me vete vetëm veshje dhe ushqim, por jo mjete identifikimi dhe aktualisht autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me palën pakistaneze për të hedhur dritë më shumë mbi identitetet e viktimave dhe zbulimin e itinerarit të tyre.
Në aksidentin tragjik humbën jetën 7 klandestinë drejtuesi i këtij automjeti është shtetasi Edison Bregaj, 24 vjeç, banues në Shkodër.
Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Benz” që drejtonte shtetasi Edison Bregaj është marrë me qira në qytetin e Shkodrës, nga shtetasi Agustin Gjeta.
Policia e ka ndjekur mjetin që transportonte klandestinë, deri në një pikë dhe pas dy orësh e kanë gjetur makinën të aksidentuar buzë lumit Vjosë.
Transporti i emigrantëve rezulton të bëhet kundrejt pagesës prej 300 euro për person.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas, si dhe bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të një hetimi proaktiv për zbardhjen e linjës së trafikimit dhe kontrabandimit të emigrantëve, është dokumentuar se 7 shtetasit nga Vendet e Treta që humbën jetën nga ky aksident po transportoheshin nga drejtuesi i këtij automjeti, nga kufiri grek drejt kufirit të Shkodrës, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Nga këto veprime, të kryera nga strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe me strukturat e DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, dyshohet se drejtuesi i automjetit, shtetasi E. B., po bashkëpunonte me 3 shtetas të tjerë, për transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të moshave 28-32 vjeç, 3 prej të cilëve janë identifikuar.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u identifikuan 3 shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale:
A. Gj., 24 vjeç dhe R. D., 23 vjeç, të dy banues në Shkodër, të cilët u vunë në pranga në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër;
S. N., 23 vjeç, banues në Shkodër, i cili u shpall në kërkim, pasi dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.
Vijon puna edhe për identifikimin e 4 emigrantëve të tjerë që kanë humbur jetën nga aksidenti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



