Donald Trump bëhet presidenti i tretë amerikan që vihet nën akuzë nëpërmjet procedurave të shkarkimit (impeachment). Para tij, vetëm Andrew Johnson përfunduan nën një gjykim të tillë në vitin 1868 dhe Bill Klinton në 1998. Të dy u liruan nga akuzat me votimin e Senatit, fat që me të gjitha gjasat e pret edhe presidentin Trump, i cili ka shumicën e padikutueshme në dhomën e lartë të parlamentit amerikan.
Në një situatë të ngjashme ka kaluar edhe Richard Nixon, i cili dha dorëheqjen në 1974-n përpara se të akuzohej. Për Trump janë dy akuzat: abuzimi me pushtetin për shkak të presionit ndaj Kievit për të hetuar rivalin e tij kryesor në garë për kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, dhe pengimin e punës së Kongresit nëpërmjet bllokimit të dëshmitarëve dhe dokumenteve.
Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve erdhi pas disa javësh polemika të hidhura dhe pas një debati të gjatë, ndonjëherë edhe helmues në njërën degë të Kongresit, e cila kontrollohet nga demokratët. Disa republikanë e kanë krahasuar hetimin ndaj Trump me sulmin mbi Pearl Harbour ose kryqëzimin e Krishtit, duke pretenduar se Ponc Pilati u soll më mirë me Jezusin.
Në fund, të dy nenet u miratuan me 230 dhe 229 vota përkatësisht, tre demokratë votuan kundër. Por tani hapet një front i ri lufte: pas votimit kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftoi se të dy nenet nuk do të dërgohen në Senat derisa të ketë garanci për një gjykim të drejtë aty.
Në ditën më të errët të presidencës së tij, Trump e priti votimin duke parë Tuiterin në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas duke mbajtur një tubim në Michigan, një shtet shumë i rëndësishëm për rizgjedhjen e tij. Në momentin që u njoh me votimin në dhomën e ulët të Kongresit, ai tha: "Ne nuk bëmë asgjë të gabuar. Ne kemi mbështetjen e Partisë Republikane. Pas tre vjetësh gjueti shtrigash, rrëmujash, turpi, mashtrimesh, demokratët po përpiqen të anulojnë votën e dhjetëra miliona patriotëve amerikanë sonte", tha ai duke shtuar se “është hera e parë që procedurat e shkarkimit procedojnë pa pasur asnjë krim”. Sipas tij, kjo do të jetë një "vetëvrasje politike" për demokratët.
Ndërkohë, përpara Capitol Hill, qindra aktivistë u mblodhën në mbështetje të procedurës së shkarkimit, pas më shumë se 600 mitingjeve dhe marshimeve në qytete të ndryshme në të 50 shtetet e SHBA, duke nisur në Nju-Jorku. Sondazhet në këtë moment e tregojnë Amerikën të ndarë më dysh, por ndërkohë mbështetja për presidentin duket se do të rritet, sipas sondazhit të fundit të Gallup. Nga 39% që ishte fillimisht, mbështetja për Trump është rritur në 45%. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



