
Rritja e fortë e çmimeve të metaleve të çmuara vijon të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme në tregjet financiare globale.
Vetëm nga rritja e vlerës së rezervës së arit, Banka e Shqipërisë ka regjistruar gjatë vitit të kaluar një fitim prej 123 milionë eurosh, ndërsa lëvizje të rëndësishme po vërehen edhe në tregun e bonove të thesarit, depozitave dhe kredive.
I ftuar në emisionin “MCN Economy”, eksperti i ekonomisë Elvin Meka u shpreh se metaleve të çmuara po u ruhet vlera e lartë pavarësisht ndryshimeve në normat e inflacionit.
Nisur nga zhvillimet e viteve të fundit, veçanërisht pas luftës në Ukrainë, u bë e qartë se investimi në ar dhe metale të tjera të çmuara si asete strategjike nuk do të kthehej më në nivelet e mëparshme.
Edhe para luftës kishte një tendencë rritjeje, por jo në këto nivele rekord që po shohim sot.
Rritja e çmimeve lidhet jo vetëm me pasiguritë gjeopolitike, por edhe me dobësinë relative të dollarit amerikan dhe kërkesën në rritje nga industria teknologjike.
Po shohim një rritje të përgjithshme të vlerës së metaleve të çmuara, e nxitur nga zhvillimi i shpejtë teknologjik.
Ari dhe argjendi nuk kërkohen vetëm nga bankat qendrore, por gjithnjë e më shumë edhe nga prodhuesit e teknologjisë.
Kjo krijon një kërkesë të qëndrueshme që pritet të mbajë çmimet në nivele të larta edhe në të ardhmen.
Meka theksoi se çmimet e metaleve të çmuara kanë treguar qëndrueshmëri si në periudha me inflacion të lartë, ashtu edhe në periudha me inflacion të ulët.
Metalet e çmuara kanë mbetur në nivele të larta pavarësisht luhatjeve ekonomike të viteve të fundit.
Kjo tregon se faktorët që ndikojnë në çmimin e tyre tashmë shkojnë përtej inflacionit.
Nga ana tjetër, gazetari ekonomik Lorenc Rabeta ngriti idenë që Banka e Shqipërisë të shqyrtojë mundësinë e rritjes së rezervës së arit.
Banka e Shqipërisë nuk është një bankë tregtare dhe nuk e ka prioritet gjenerimin e fitimit.
Megjithatë, duhet të hapet një diskutim serioz mbi rritjen e rezervës së arit, duke parë zhvillimet aktuale në tregjet ndërkombëtare.
Kërkesa në rritje për ar dhe metale të tjera të çmuara në sektorin e teknologjisë pritet të ndikojë pozitivisht në vlerën e tyre edhe në vitet e ardhshme.
Nëse ari po përdoret gjithnjë e më shumë në prodhimin e telefonave, pajisjeve elektronike dhe teknologjive të avancuara, atëherë vlera e tij ka gjasa të vijojë të rritet.
Për këtë arsye, mendoj se Banka e Shqipërisë duhet të analizojë me kujdes mundësinë e shtimit të rezervave të arit.



