GJKKO ka vendosur të lërë në arrest me burg Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshi.
Gazetari Arsen Rusta raporton se Beleri është transferuar tashmë nga Paraburgimi i Vlorës në Paraburgimin 313 në Tiranë.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit me akuzën për korrupsion zgjedhor, bashkë me mikun e tij Pandeli Kokaveshi.
Vendimi i GJKKO merret në një ditë kur në Bruksel është zhvilluar një takim mes dy ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë.
(12:40) Akuzohet për blerje votash/ Fredi Beleri rinjihet me akuzën në GJKKO, rivlerësohet masa e sigurisë
Kandidati fitues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri ka dalë sot para Gjykatës së Posaçme, GJKKO për rivlerësim të masës së sigurisë.
Seanca do të zhvillohet në orën 13:00 dhe gjyqtare pritet të jetë Atalanta Zeqiri.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale me akuzën e blerjes së votave, çka shkaktoi reagime të forta nga Athina zyrtare.
Gazetari Arsen Rusta për MCN LIve bën me dije se:
"Fredi Beleri është shoqëruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nga ambientet e paraburgimit në Vlorë, në GJKKO, ku në 13:00 do dalë para gjykatës. SPAK kërkon që të mbetet në fuqi masa e sigurisë së vendosur nga Vlora. Mbetet për t’u parë nëse kjo kërkesë në verifikim të kushteve shëndetësore, apo provave të reja, do të mbetet e njëjtë apo do të ndryshojë. Ende s’ka familjarë të z.Beleri, apo përfaqësues politikë si z.Dule në ambientet e gjykatës. Vet z.Beleri së bashku me Pandeli Kokoveshin do të paraqiten sot në gjykatë jo vetëm për t’u rinjohur me akuzën e GJKKO, për veprën penale të korrupsionit zgjedhor, por edhe për t’u njohur me kërkesën e SPAK. Ata pretendojnë sipas avokatit se arrestimi është i paligjshëm pasi ka vepruar Policia dhe Prokuroria e Vlorës që s’janë kompetente dhe do të duhej që SPAK ta pushojë menjëherë procedimin penal. Në rast të refuzimit të kërkesës ata do të japin garanci për një masë më të butë sigurie, qoftë detyrim paraqitje, pasi sipas tyre ka një provë të re pas 14 majit, z.Beleri është kryebashkiak i zgjedhur me votë dhe qëndrimi në qeli i pamundëson atij jo vetëm marrjen e mandatit por edhe drejtimin e qytetit".



