
Ndërsa Kuvendi zhvillon seancën e radhës plenare, një grup i vogël protestuesish është mbledhur jashtë perimetrit të sigurisë, duke hedhur thirrje kundër klasës politike.
Siç raportoi për “MCN Live”, gazetari Mariglen Kume, protestuesit brohorisnin: “Parlament i krimit, parlament analfabet"*, ndërsa në hyrje të godinës mbërrinin deputetët për të marrë pjesë në seancë.
Në krahun verior të Kuvendit ishin mbledhur protestues që kundërshtonin të gjithë klasën politike, pa bërë dallime mes palëve.
Revolta e tyre nuk u drejtua vetëm ndaj mazhorancës. Protestuesit lëshuan thirrje edhe ndaj deputetëve të opozitës, duke i cilësuar ata si ‘opozitë e shitur’.
Momente tensioni u shënuan edhe kur deputeti i opozitës Redi Muçi iu afrua turmës. Protestuesit reaguan me thirrje kundër tij, duke e detyruar të largohej pa u përfshirë në tubim.
Prej rreth një muaji protestat para Kuvendit kanë qenë më tepër sporadike dhe me pjesëmarrje të grupeve të ndryshme që kundërshtojnë klasën politike.
Edhe protesta e sotme u karakterizua nga një pjesëmarrje e vogël, por me mesazhe të forta kundër përfaqësuesve politikë.



