
Turizmi mbetet një nga sfidat kryesore dhe më të vështira të Shqipërisë. Pavarësisht se vendi ynë ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, i cili mund të krijojë një identitet të njohur për turizmin shqiptar, të përmirësojë konkurrencën dhe pozicionin e Shqipërisë në tregun turistik kombëtar, rajonal, evropian dhe global, problematikat që janë shfaqur ndër vite jo vetëm që nuk janë reduktuar, por në disa raste janë theksuar edhe më tepër. Përpos shifrave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, se në vitin që lamë pas në vend kanë hyrë 6 milionë turistë të huaj, pushteti vendor dhe lokal, ende nuk po investon për përmirësimin e infrastrukturës, cilësia e shërbimit si dhe si dhe personeli nën standartë ishin disa nga pikat kyçe që u ngritën si shqetësim jo vetëm nga turistët e huaj por edhe nga vetë qytetarët shqiptarë. Por këto mangësi në sektorin e turizmit duket se do të shoqërojnë edhe vitin 2019. Në një intervistë për Tema TV, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike, Kliton Gërxhani, ka listuar një sërë problemesh që aktualisht janë prezente në muajt e parë të këtij viti, thelbësore mbetet standardizimi i turizmit.
Gërxhani e shikon si të domosdoshëm edhe ndryshimin ligjit të turizmit, pasi sipas tij nuk po kontribuon aq sa duhet për përmirësim.
Vetë ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, pati pranuar se turizmi në Shqipëri ende është sfidë. Por ndryshe nga shqetësimet e ngritura nga operatorët, qytetarët apo turistët, Klosi u mjaftua të veconte vetëm cilësinë e guidave, duke përmendur edhe ankesat kryesisht të turistëve cek.
Klosi ka vënë theksin tek disa prioritete që sipas tij janë të domosdoshme.
Sektori i turizmit, edhe pse po përjeton ditë të rëndësishme me një interes të zgjuar, po ecën pa një vizion të qartë për drejtimin që do të marrë. Gërxhani e shikon me shqetësim situatën e tensionuar politike pasi sipas tij ka dhënë një efekt të drejtpërdrejtë në prurjet në muajit e parë të këtij viti.
Sakaq edhe të dhënat e INSTAT raportojnë për një tkurrje të shtetasve të huaj që kanë ardhur në vend në dy muajit e parë të vitit.
Sipas Insitutit të Statistikave në Janar 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend kanë rënë me 9.8%, dh konkretisht kanë hyrë në vend 209.520, persona, ndërsa në 2018 kjo shifër arrinte në 232.338 shtetas të huaj të ardhur. Ndërsa në muajin shkurt kanë ardhur të huaj në vend 201.597, krahasuar me Shkurt 2018, ky numër është rritur me 5,8 %. Në raport dymujorë, hyrjet kanë rënë me me 2.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Por e kundërta ka ndodhur me shtetasit shqiptar, pasi në shkurt kanë dalë nga vendi 329.094 persona. Mirëpo përvec shifrave Gërxhani pohon se shqipëria ka nevojë për më pak turistë dhe për më shumë të ardhura.
Duke qenë se turizmi është një sektor prioritar i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, ai gjeneron edhe të ardhura të lart si dhe krijon mundësi punësimi. Në 2018, bilanci i të ardhurave nga turistët e huaj është 1.86 miliardë euro, afërsisht 9% më shumë krahasuar me vitin 2017. Ndërsa shqiptarët shpenzuan 1.43 miliardë euro në udhëtime jashtë, 13% më shumë krahasuar me një vit më parë. Edhe në numër, udhëtimet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit vitin e kaluar shënuan një shifër rekord, me 5.4 milionë dalje jashtë vendit. Por sa ka Shqipëria hapësira akomoduese për një fluks të tillë edhe këtë vit?
Por ndërkohë që të huajit organizojnë pushime më aventuriere, më spontane dhe të ndryshme, për shqiptarët turizmi orientohet kryesisht jashtë vendit dhe në pak destinacione. Përfaqësuesja e agjensisë turistike UnionTravel, Jetmira Hoxha ka pohuar se Shqiptarët i mbeten besnik pushimeve “all incluziv”, kryesisht drejt Turqisë dhe Egjiptit.
Pavarësisht se shqiptarët zgjedhin kryesisht ofertat e ashtuquajtura dembele, ka nga ata që i ndajnë ndajnë në dy sezone pushimet. Shtetet fqinje si Italia dhe Greqia, me një bregdet të lakmueshëm ndërkombëtarisht mbeten destinacione ditore. Shpesh pushimet në këto dy vende janë të lidhura dhe me emigracionin e familjeve shqiptare.
Por si po promovohet Shqipëria, këtë vit? Përpos dështimit të politikave në thuajse 3 dekada, mesa duket edhe marketingu ecën paralel. Spoti i zgjedhur nga Ministria e Turizmit në bashkëpunim me institucionet e tjera, “Be Taken by Albania”, “Rrëmbehu nga Shqipëria” më shumë se sa joshje, ka ngjallur polemika. Shumë portale të huaja apo media online e kanë kritikuar si një video aspak të goditur. Ndërkohë për Gërxhanin spoti ngjall panik.
Motoja e fushatës turistike sjell risjell në vëmendjen e publikut një problem të madh të imazhit të shqiptarëve, trafikun njerëzor. Por përvec kritikave nga shoqata e turoperatorëve, ashpër është shprehur edhe “the telegraph” prestigjiozja britanike shkruan se, Shqipëria ka promovimin më negative në botë. Në moton e turizmit, aktori protagonist i “Taken”, Liam Neeson ftohet nëpërmjet një peticioni që të vizitojë Shqipërinë, natyrën e saj të bukur, mikpritjen e përjetshme. Neeson është aktualisht në një ndër momentet më të errëta të karrierës së tij, kështu që nëse jeni duke kërkuar një figurë ikonë për reklamën tuaj të re, ai nuk është njeriu i duhur, vazhdon “The Telegraph”. Përvec reklamës që mesa duket nuk ka qenë e duhura, në Shqipëri ka ende shumë probleme me turizmin malor, si dhe me ate tregtarë.
Vizitorët në Shqipëri duket se janë të ndarë për shkak edhe të preferencave të tyre.
Edhe pse përzgjedhja e vendit ku do të pushosh merr prioritet, në të shumtën e rasteve qytetarët si të huaj edhe shqiptarët stepen përballë cmimit të biletave. Edhe pse në vend ka hyrë shërbimi lou kost, ende cmimi i biletave mbetet i lartë, cka shpjegohet me ekzistencën e një aeroporti të vetëm dhe të pakonkurueshëm.
Shqetësim që është ngritur edhe nga ish ministri i financave Arben Ahmetaj, i cili ka kërkuar që të hapet hetim nga Autoriteti i Konkurencës.
Por si një zgjidhje për uljen e çmimit të biletave, nga qeveria është ofruar linja ajrore Air Albania, por për Gërxhanin kjo është e pamundur dhe se do të ishte më mirë të ndërtohej aeroporti i ri.
Tërësia e problemeve dhe kostoja e ditëve larg punës dhe angazhimeve të tjera, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, për shqiptarët duket se mbeten ende pushime luksi.



