Partia Demokratike akuzon kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se po mashtron lidhur me vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në Sharrë. Duke komentuar deklaratat e kryebashkiakut Veliaj mbrëmë në TCH, kreu i Këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, tha sot se Veliaj “Jo vetëm nuk mbajti asnjë përgjegjësi për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e tij korruptiv e kriminal, por mori në mbrojtje edhe partnerin në biznes, kryesocialistin peqinas, të shpallur në kërkim por të mbrojtur nga Edi Rama, Edurim Teqja”.
Sipas Ollit, Veliaj kërkon t’ia hedhë përgjegjësinë aleatit LSI, që drejton Inspektoriatin e Punës. Por sipas tij, hetimet e prokurorisë e nxjerrin bllof kryetarin e bashkisë së kryeqytetit.
“Në hetimet që ka bërë prokuroria rezulton se 17-vjeçari Ardit Gjoklaj është vrarë brenda kompanisë “3R” nga një fadromë që drejtohej nga një punonjës i kësaj firme”, tha Olli.
Olli akuzoi Veliajn se ka censuruar emisionin që hetonte vrasjen e adoleshentit Gjoklaj.
“Veliaj mashtron sërish kur thotë se nuk ka ndërhyrë në ndalimin e reportazhit Publicus për çka ndodhi në Sharrë, pasi jo vetëm e ka ushtruar gjithë presonin që ai të mos transmetohej, por nëpëmjet kryetarit dhe këshllitarëve kamikazë të maxhorancës në këshillin bashkiak, ai është konfirmuar si censurues në dhjetra raste, edhe i fjalës së këshilltarëve të opozitës. Një shafqje kjo e turpshme që i ka hequr çdo legjitimitet këshillit bashkiak Tiranë”, tha ai.
