
Kompania Moveo Albania, administrator i të cilës është Oltian Hoxholli, reagoi lidhur me një lajm të publikuar sot nga MCN. Në reagimin e saj, Moveo Albania sqaron se "Oltian Hoxholli është avokat partner në studion ligjore LPA. Prej disa vitesh, ai ka qenë përfaqësues ligjor, i zgjedhur dhe si administrator i kompanisë italiane Moveo. Ligji shqiptar kërkon që në rastin e kompanive të huaja, një prej administratorëve të jetë shqiptar dhe kompania italiane Moveo ka zgjedhur si bashkë-administrator të Moveo Albania përfaqesuesin ligjor, z. Hoxholli, para disa vitesh. Së dyti, kompania Moveo Albania ka nisur aktivitetin në vitin 2018. Objekti i aktivitetit të Moveo Albania është programimi i softuereve, zhvillimi dhe mirëmbajtja e sistemeve kompjuterike”.
Kompania thekson se “në asnjë rast as Moveo Albania dhe as partnerët e Moveo Italia nuk kanë qenë në dijeni që shtetasi Oltjan Hoxholli përfqësonte si administrator edhe kompani të tjera. Sapo mësuam sot nga mediat për përfshirjen e tij në rastin e investimit në portin e Durrësit, vendosëm shkarkimin e tij si administrator i Moveo Albania me efekt të menjëhershëm".
Sipas dokumenteve që ka siguruar MCN, Oltian Hoxholli rezulton administrator i komapnisë që do të përfitojë qindra hektarë tokë shtetërore falas në portin e Durrësit. Symphony Real Estate Development ka një kapital prej vetëm 10 mijë lekëdhe është regjistruar në QKB më 25 maj të këtij viti, në emrin e Hoxhollit, i cili mesa duket është thjesht një nëpunës i emëruar. Pronari i Symphony Real Estate është një kompani guacke nga ishujt Kejmen e quajtur Symphony Invest limited. Ndërkohë, po sipas QKB, Hoxholli prej dhjetorit të 2017-s rezulton edhe administrator i kompanisë Moveo Albania, post që sipas njoftimit të kompanisë nuk e mban më.
MCN TV



