
Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Kryeministri Rama ka paralajmëruar edhe një herë anëtarët e Partisë Socialiste se askush të mos pretendojë punë në shtet. Rama deklaroi se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, por e popullit shqiptar dhe se kjo vijë e kuqe do të garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së administratës shtetërore.
Ajo që do të nënvizoja si shumë të rëndësishme edhe nga kjo mbledhje dhe do ta ndaja me të gjithë publikun dhe të gjithë familjen tonë politike është një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në Kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS por e popullit shqiptar dhe funksion i qeverisë dhe i të gjitha institucioneve bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Kjo nuk është propagandë por vija ndarëse. Nëse në shërbimin civil tanimë kemi garantuar se proceset e rekrutimit tashmë janë procese ligjore, procese me integritet dhe si rezultat i këtyre proceseve shumë njerëz kanë mundur të marrin atë që i takon në pjesën tjetër të administratës ka një problematikë serioze që duhet qasje me seriozitet. Për këtë jemi të prerë dhe duhet të angazhohemi të gjithë.
Ndërsa në lidhje me zgjatjen e mandatit për organet e vettingut, Rama tha se është një domosdoshmëri dhe Reforma në Drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar me opozitën, por është diçka për t’u kryer dhe se nuk ka kthim pas. Kreu i qeverisë tha se kjo Reformë është në partneritet me ndërkombëtarët, BE dhe SHBA-në dhe kush i del kundër u del kundër partnerëve ndërkombëtar.
Zgjatja e mandateve të organeve të vettingut është një domosdoshmëri, e cila vjen si rezultat i një procesi që e ka treguar sesa i vyer që është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe për të nxjerrë në pah njerëzit me integritet dhe ky proces nuk mund të ndërpritet. Reforma në Drejtësi është një Reformë në partneritet me partnerët tanë ndërkombëtar dhe besoj se vija është shumë e ndarë. Reforma në Drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar është diçka për t'u kryer. S’ka kthim mbrapa as qëndrim në vend numëro. Kush i bie ndesh interesave të Reformës në Drejtësi i bie ndesh vendit dhe aleatëve ndërkombëtar.



