Përfaqësuesja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Adriana Kalaja erdhi sot sërish para dyerve të Gjykatës së Posaçme për një padi kësaj rradhe për shpifje ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili e ka akuzuar atë gjatë një interviste në studion e MCN TV, më 06.07.2021, se Kalaja është e dënuar nga Gjykata me vendim për mashtrim.
Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të Gjykatës, Kalaja tha se Veliaj kërkon të cënojë integritetin e saj personal por edhe të kauzës për mbrojtjen e Teatrit, dhe se ajo asnjëherë nuk ka qenë e dënuar nga asnjë gjykatë.
“Pas datës 2 korrik ka nisur të sulmojë ndaj gjithë Aleancës sepse fitorja e 2 korrikut ka bërë që Erion Veliaj të dijë mirë përfundimin e kësaj gjëje. Një ditë pas intervistës sime, ai tha se përfaqësuesja e aleancës është e dënuar për mashtrim. Ne e dimë shumë mirë që Erion Veliaj bën publike dhe kur nxjerr një mizë nga zyra, ndaj e dimë shumë mirë se po të kishte një vendim gjykate do e nxirrte. Ndryshe nga ne, ai është një burracak, shpifës dhe kërkon të ulë nivelin e integritetit tim moral dhe të ulë figurën time në sytë e mbështetësve. Në këto kushte unë e kam argumentuar dhe e konsideroj si shpifje ndaj personit tim por që nuk cënon vetëm integritetin tim por edhe të kauzës. I kam bërë dy pyetje Veliajt: Vendimin e gjykatës për dënimin dhe pse nuk e publikon? Jam e bindur që gjykata do të marrë vendimin e duhur”.
Fill pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që pengon ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, kryebashkiaku i i tha se “ka mes tyre edhe të dënuar për mashtrim“, duke i referuar juristes Kalaja.
Në kërkesën për gjykim penal, Kalaja, thotë se me më datë 06.07.2021, një ditë pasi ajo kishte dhënë një intervistë në studion e televizionit MCN, u shfaq Erion Veliaj, sipas saj, duke recituar të njëjtin refren fyes dhe pas pyetjes që i bëri drejtuesja në lidhje me akuzat tona, ai u shpreh se:
“……Zonja që ju flisni dhe që nuk përfaqëson asgjë, është dënuar si mashtruuese e çertifikuar. Po të them edhe një herë, mos ma fyeni inteligjencën duke më pyetur për njerëz që gjykatat e këtij vendi i kanë dhënë çertifikatë mashtrimi me vendim.....”.
Fyrjet apo etiketimet në shpifje të Kryetarit të Bashkisë Veiaj vazhdojnë edhe në minutat në vijim ndaj anëtarëve të Aleancës dhe personalisht ndaj personit tim, thotë Kalaja.
Në të gjitha këto prononcime të të akuzuarit Erion Veliaj, është konsumuar vepra penale e shpifjes për sa kohë që, unë që përmendem në këto intervista dhe konkretisht te kjo e fundit, nuk jam e dënuar nga gjykata dhe as nuk kam qënë ndonjëherë për procedim penal për konsumim të kësaj vepre penale, shprehet Kalaja.



