
Prokuroria e Posaçme SPAK, sekuestron 5512 m2 truall në zonën e Palasës në Himarë, ku po ndërtohet një resort turistik pasi qeveria i ka dhënë statusin e investitorit strategji Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka.
Sekuestro preventive është vendosur pasi po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi.
Gazetari Arsen Rusta raportoi për MCN Live, se kjo sipërfaqe rezulton të jetë një pjesë e tokës me të cilën Artan Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.
Hetimi lidhur me pronën vjen pas kallëzimit të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Belerit ndaj Artan Gaçit dhe kryetarit në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.
Hetimi ka nisur për shkak se nga praktikat e përfitimit të sipërfaqes së blerë nga Gaçi, rezulton se origjina e kësaj prone është përfituar me dokumente të falsifikuar nuk dihet nëse kjo pronë është përfituar me dokumente të falsifikuar edhe nga ana e Gaçit.
Rusta tha se në vijim do të ketë veprime të tjera hetimore si verifikimi i pasurisë, apo arrestimi i personave të dyshuar për tjetërsimin e pronave në jug dhe posaçërisht në Himarë.
Ndërkohë oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar pronën e cila aktualisht i takon SPAK dhe në të nuk mund të kryhet dot asnjë punim, deri sa gjykata të shprehet për këtë çështje.



