Kreu i Sindikatës së Burgjeve Valentin Macaj në një intervistë për gazetarin Arsen Rusta në emisionin “Fact Check” e konsideroi vendimin e duhur atë për rikthimin në punë të policëve të shkaktuar padrejtësisht. Ai theksoi se ndryshimi i ligjit ka dhënë efektet e veta, ndërsa paralajmëroi titullarët që bëjnë shkarkime të padrejta se do mbajnë përgjegjësi në rast shkarkimesh të padrejta. Macaj vuri në dukje se pagesa e dy pagave për të njëjtin vend pune i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
Duke folur për vendimin Macaj tha:
“Kjo pritej kishte vite. Ka 20 vjet që ne e presim këtë vendim. Sa herë ka pasur zgjedhje politike dhe ndryshime krerësh, dikasteri dhe drejtorish në Policinë e Shtetit dhe Policinë e Burgjeve, ka pasur një fshesë mbi stafin zbatues, por edhe në shumë raste edhe mbi stafin e mesëm, menaxhues dhe drejtues. Ky rast do merret si casus për punonjësit e sigurisë”.
Ai vë në dukje se në të shkuarën “Punonjësit të policisë së shtetit dhe të burgjeve i jepej e drejta vetëm për pagat si dëmshpërblim, por nuk rikthehej në detyrë, dhe kjo ndikonte negativisht”.
Lidhur me dëmet në buxhetin e shtetit, Macaj tha:
“Ta dijë shteti çfarë dëmi u bëhet buxhetit dhe taksave të qytetarëve shqiptarë me largimet e paligjshme nga detyra...Kjo është goditje e madhe për një qeveri, apo buxhet shteti të brishtë. U arrit deri aty sa u dubluan vendet e punës, një ishte i larguar padrejtësisht dhe paguhej, një ishte i emëruar dhe paguhej”.
Ai shtoi se tani e tutje çdo zyrtar dhe drejtues i shtetit duhet të matet mirë sa i takon shkarkimeve të padrejta.
““Do të maten mirë çdo zyrtar dhe drejtues i shtetit, pasi kapitulli 23 me BE-në flet qartësisht për të drejtat themelore. Janë një pasaportë për të hyrë në BE. Shteti është gjë tjetër, është e paprekshme, këtu ngatërrohen gjërat, shteti me pushtetin. Forcat e sigurisë dhe forcat e rendit janë gjë tjetër. 34 vjet është ngatërruar, kush është në pushtet bën çfarë të dojë me punonjësin e policisë apo administratës!”
Macaj tha që protesta e 2022-shit para zyrave të BE-së në Tiranë na dha efektet e veta dhe një ndryshim rrënjësor në të drejta dhe trajtimin e stafit.



