Pedagogu Ervin Goci vendimin e Këshilli Kombëtar i Territorit i cili ka shfuqizuar lejen e ndërtimit për Embassy Tower dhe në të njëjtën mbledhje ka miratuar lejen e ndërtimit për ngritjen e një kulle 45 kate në ish-Bllok, e krahason me “dënim me vdekje” për banorët e zonës.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se në kullat e larta “parkohen” paratë e pista të disa personave, të cilët pastrojë para për të pastruar para të reja.
Sipas tij, në këto kulla kërkohet të instalohet një ekonomi e cila përveçse ndërton një ndërtesë, mbi këto ndërtesa, ndërton një ekonomi për të përfituar.
Goci shtoi se në këto kulla nuk legalizon vetëm paratë e pista, por edhe statusi i atyre personave që i kanë këto para.
Ai bëri përgjegjës Kryeministrin Edi Rama për dhënien pa kriter të lejeve të ndërtimit, duke thënë se i ka shfuqizuar totalisht bashkitë dhe se çdo gjë e ka përqendruar në dorën e tij.
Kërkesë ka nga disa flukse, kërkesë e dukshme nga disa njerëz ku nuk kanë ku parkojnë paratë dhe duan të kenë suveniret e tyre. Duan të ndërtojnë dhe një lloj ekonomie, ekonomi e shërbimeve, e qirave. Ti pastron para, për të pastruar para të tjera. Këta kërkojnë të instalojnë një ekonomi e cila përveçse ndërton një ndërtesë, por mbi këto ndërtesa, ndërton një ekonomi, japin me qira apo shfrytëzojnë. Nuk është çështja se nuk na pëlqejnë kullat ne.
Është shumë e qartë nga mënyrat si firmosen këto, këto janë dënime me vdekje. Në mes të një zone që ka shkolla, banorë, zona me ekuilibër ekonomik, ti lëshon një dënim me vdekje, do ndërtojmë 45 kate. Ky është dënim me vdekje. Çfarë lidhje ka ai banori që ka një apartament aty, është ndërtuar një ekonomi, ka fituar një vlerë shtëpia, por në një moment të caktuar vjen kjo ndërtesa dhe ti je i detyruar të marrësh ca vendime. Do jetosh më aty, po çmimet që vijnë aty me flukse parash, ku krijohen shërbimet ndihmëse.
Prandaj e quaj dënim me vdekje, se janë tragjedi dhe drama për zona të caktuara. Dhënia e lejeve pa kriter është fatalitet. Ti për 20-30 vite shkon nga koteci i pulave te kullat 100 kate. Është si të bjerë një raketë në mes të qytetit. Nuk legalizon vetëm paratë, por dhe statusin e këtyre personave që kanë këto para. Kryeministri është i vetmi Kryeministër në planetin Tokë që firmos leje ndërtimi. Keni parë ndonjë Kryeministër në tokë të japë leje ndërtimi. I ka nxjerrë bashkitë si çerdhe pa drekë, janë kot. Ai vazhdon firmos.
Këtu jemi përballë absolutes dhe ky njeri që firmos vetë, i legjitimon vetë, shkon dhe mbron ndërtuesit kur iu plas zjarri, ngre dorën dhe thotë që unë këtu jam. Vetëm hetuesit nuk e shohin që Kryeministri është i përfshirë. Ndërkohë që ka 53 mijë apartamente bosh, si mund të jepen leje ndërtimi. Në 100 vitet në vijim, do të përballemi me pasojat e betonizimit. Në ndërtimet e vona nuk banon njeri, 90% e tyre janë bosh.



