Amnisti fiskale për emigrantët dhe bizneset. Ky është ky lajmi që sapo dha kryeministri Edi Rama në një lidhje live.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar së fundmi se qeveria do të miratojnë brenda muajit amnistinë fiskale. Kreu i qeverisë ka theksuar se nga kjo amnisti përjashtohen të gjithë ata që janë të dënuar për aktivitete kriminale, politikanët, zyrtarët e lartë bashkë me familjarët e tyre, policët, gjykatësit dhe prokurorët.
“Tani jemi gati që pasi ta kalojmë këtë javë në qeveri t'ia cojmë parlamentit të hapur për kosultime me të gjitha grupet e interesit që brenda muajit maj parlamenti ta miratojë. Fjala është për Amnistinë Fiskale, e domosdoshme pasi për 30 vjet me rradhë ne e dimë shumë mirë që qindra mijëra qytetarë në emigracion kanë punuar punë nga më të ndryshmet dhe kanë plot kursime pa mundur ti depozitojnë të gjitha në banka duke vazhduar dhe me një shumicë dërrmuese në Shqipëri që si rezultat i një transformimi mes individit dhe sistemit, kanë kursime që janë të interesuar ti depozitojnë nëpër banka dhe po ashtu kompanitë që kanë të ardhura të padeklaruara. Do jetë një amnisti gjithpërfshirëse për të lehtësuar maksimalisht ata që jetojnë në emigracion dhe ata që jetojnë në vendin tonë dhe janë në nevojën 30 vjecare për të formalizuar paranë jo formale. Amnistia ndalon riciklimin e të ardhurave nga pasuritë kriminale.
Përjashtohen të gjithë politikanët, zyrtarët e lartë së bashku me rrethin familjar dhe të gjithë ata që militojnë në radhët e policisë, prokurorëve dhe në rangjet e larta të administratës. Çdo qytetar që ka një pasaportë shqiptare mund të përfitojë nëse nuk është në kategoritë përjashtuese”, tha kryeministri.
Rama u shpreh se amnistia do të jetë fiskale dhe penale për ata që do të përfitojnë, që do të thotë se nuk do të ketë asnjë pasojë më vonë për ata që i deklarojnë, vetëm në rast se deklarimi nuk bëhet i rregullt atëherë do të ketë masa ndëshkuese.
Amnistia do të ketë kohëzgjatje prej 1 viti dhe do të ndahet në 3 fasha 4 mujore.
Në 4 muajt e parë ata që përfitojnë nga amnistia do të tatohen 5%, në katërmujorin e dytë 7% dhe në katërmujorin e tretë do të tatohen 10%.
"Amnistia mendohet të ketë kohëzgjatje prej 1 viti dhe të ndahet në 3 fasha nga 4 muaj.
Detyrimi që do të mbajë shteti do të jetë 5% në fashën e parë, 7% në fashën e dytë dhe 10% në fashën e tretë.
Aministia për të qenë e besueshme dhe e qëndrueshme do të jetë fiskale dhe penale.
Në të ardhmen nuk do të ketë asnjë pasojë për ato që i deklarojnë, përveç atyre që kanë bërë deklarim të rregullt", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar sot edhe bllokun e dytë të bizneseve, që do të rihapen, pas më shumë se një muaji të mbyllur, për shkak të koronavirusit, pas vërtetimit që duhet të marrin në portalin “e-Albania”.
Rama tha se në bllokun e dytë të bizneseve përfshihen në përgjithësi bizneset e shitjeve me pakicë. Kjo listë do të rikthejë në punë mbi 27 mijë punonjës.
“Lista me bllokun e dytë të bizneseve që rinisin punën do të publikohet sot në “e-Albana”. Me këtë listë rikthehen në punë mbi 27 mijë punonjës. Hyjnë shitje me pakicë e veshjeve, tregti me pakicë e veshjeve, tregtia me pakicë e tekstileve, e këpucëve, e mobilieve, artikujve shtëpiakë, tregtia me pakisë e luleve, bimëve, kafshëve të shtëpisë, e pajisjeve audio të regjistruara, e qylymave, dyshemeve, lojërave dhe lodrave”, tha Rama.



