Dëshira Mena nga Unioni i inxhinierëve shqiptarë në një lidhje skype me studion e lajmeve në MCN TV ka komentuar lidhur me auditimin e pallateve të vjetra mbi 50-vjeçare.
Ajo u shpreh se është një proces që tregon vëmendje duke e cilësuar një inciativë të mirë. Sipas saj është pronari ai që vendos të rikonstruktojë apo jo banesën e tij dhe se banorët nuk mund të zhvendosen me dhunë diku tjetër.
Është një proces që tregon vëmendje dhe problemi që duhet parë me kujdes është se si do zbatohet. Bëhet fjalë për një ndërhyrje që ka të bëjë me komfortin dhe jetën e njerëzve. Ndërtesat e vjetra çdo institucion duhet të ketë listën dhe ashtu siç dihet çdo objekt ka certifikatën e tij dhe kjo adaptohet vit pas viti.
Është shumë mirë që merret kjo iniciativë dhe shpresojmë të jetë transparentë dhe do përmirësojë jetën e qytetarëve. Duhet të jetë e pranueshme nga të dyja palët për të mos krijuar shqetësime që sjellin konflikte në jetën e qytetarëve.
E pyetur se çfarë do të ndodhë me banorët e këtyre pallateve, Mena tha se normalisht banorët kanë të drejta të plota mbi pronën e tyre dhe askush s’mund të cenojë lirinë se si ata duan të jetojnë.
Çdo reformë që ndërmerret pavarësisht zgjedhjeve që një qeveri e caktuar bën nëse cenon liritë e individit atëherë nuk është më e pranuar. Një banorë ka të drejtën e vetë të pranojë nëse do të bëhet rikonstruksioni apo jo. Nuk i di detajet se si është menduar të bëhet kjo ndërhyrje por ngul këmbë se skema që do ndiqet duhet të ketë një kontratë bashkëpunimi të pranuar nga të dyja palët.
Nuk është mirë ti shembësh shtëpinë një banori që e ka në një lokacion të preferuar duke e zhvendosur në një tjetër lokacion. Kjo ndërhyrje ka shumë pika kritike dhe mund të krijojë dhe pika debati, por nuk mund ta zhvendosësh një banorë me dhunë diku tjetër. Për mua është e rëndësishme pjesëmarrja aktive e të gjithëve. Individët duhet të përfshihen në proces dhe të mos jenë indiferentë. Të mos firmosin letra që si kuptojnë. Është delikate si çështje dhe gjithë procesi i rindërtimit është delikat.



