
Shkrimtari Salman Rushdie është sulmuar në Nju Jork gjatë një eventi.
Sipas CNN, autori i njohur dhe fitues i çmimeve më të mëdha letrare në botë u sulmua në skenë përpara se të jepte një leksion në Institutin Chautauqua.
Sipas një reporteri të AP, një burrë u ngjit në skenë duke e "grushtuar ose therur me thikë" romancierin përpara se të niste eventi.
Policia mbërriti menjëherë, por nuk ka dhënë detaje.
Rushdie, autor i 14 romaneve, ishte ftuar të fliste për rëndësinë e ofrimit të azilit nga SHBA për shkrimtarët dhe artistët e tjerë në mërgim.
Libri i Rushdie, “Vargjet Satanike”, është ndaluar në Iran që nga viti 1988, pasi shumë myslimanë e konsiderojnë atë si blasfemi.
Një vit më vonë, lideri i ndjerë i Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, nxori një dekret, me të cilin kërkonte vdekjen e Rushdie. Për vrasjen e tij ka pasur një shpërblim më shumë se 3 milion dollarë.
Qeveria e Iranit është distancuar prej kohësh nga dekreti i Khomeinit, por ndjenjat anti-Rushdie vazhduan.
Në vitin 2012, një fondacion fetar gjysmë zyrtar iranian e ngriti shpërblimin për Rushdie nga 2.8 milionë dollarë në 3.3 milionë dollarë.
Rushdie e hodhi poshtë atë kërcënim në atë kohë, duke thënë se nuk kishte "asnjë provë" se njerëzit ishin të interesuar për shpërblimin.



