
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, thotë se shtyrja e Brexit-it përtej datës së planifikuar të daljes, më 29 mars, do të ishte një "zgjidhje racionale".
Duke folur pas samitit të Lidhjes BE-Liga Arabe në Sharm el-Sheikh, Tusk tha se ka biseduar me kryeministren britanike, Theresa May, rreth "çështjeve që përfshijnë kontekstin ligjor dhe procedural të një zgjatjeje të mundshme".
"Për mua është absolutisht e qartë se nuk ka shumicë në Dhomën e Ulët për të miratuar një marrëveshje. Do të përballemi me një alternativë - një Brexit kaotik ose një zgjatje e afatit", tha ai.
"Sa më pak kohë ka deri më 29 mars, aq më e madhe është mundësia e zgjatjes. Ky është një fakt objektiv, jo qëllimi ynë, jo plani ynë, por një fakt objektiv. Unë besoj në situatën që jemi, se një zgjatje do të ishte një zgjidhje racionale, por kryeministrja May beson se ajo është ende në gjendje ta shmangë këtë skenar", tha ai.
Britania e Madhe është ende e vendosur të largohet nga BE-ja më 29 mars, por ndërsa parlamenti britanik ende nuk ka miratuar një marrëveshje të Brexit-it, ka shqetësim në rritje se ajo nuk do të jetë gati të largohet nga blloku deri në atë datë.
Maj është nën presion për të kërkuar një shtyrje për Brexit nga disa prej ministrave të saj të kabinetit. Të dielën, ajo tha se parlamenti do të votojë për Brexit-in deri më 12 mars.



