
Shqipëria renditet vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor sa i përket ritmit të vaksinimit të popullatës dhe mbi mesataren e Bashkimit Evropian.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu përmes rrjetit të saj social Facebook, ka publikuar një grafik nga “Our World in Data” në të cilin paraqitet krahasimi i ritmeve të procesit të vaksinimit në Shqipëri me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian.
Manastirliu shkruan se ky ritëm nuk do të ndalet për asnjë moment! Sipas saj qëllimi është të vaksinohet gjysmë milioni brenda muajt dhe e gjithë popullata brenda pranverës së vitit të ardhshëm.

Ndërsa nga Gjirokastra ku ndodhet sot, Manastirliu tha se gjatë fundjavës pritet të ketë një ulje të grupmoshës së vaksinimit në të gjithë vendin.
“Në gjithë qarkun e Gjirokastrës janë kryer mbi 10 mijë vaksinime, ndërsa në tërësi kemi arritur mbi 230 mijë vaksinime. Në Gjirokastër ne kemi filluar të ulim grupmoshën. Edhe pse në fakt presim që gjatë kësaj fundjavës të kemi një ulje të moshës në gjithë vendin, pra + 65 vjeç dhe +60 ata me sëmundje kronike”, tha Manastirliu.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 232,556 doza të vaksinës ndaj COVID19, nga të cilat janë mbi 162 mijë të moshuar të vaksinuar.



