Kryeministri Edi Rama në deklaratën e tij lidhur me vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha është shprehur se ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka vënë në dispozicion dorëheqjen e tij.
“Ministri i Brendshëm më ka vënë në dispozicion dorëheqjen e tij. I kam thënë pres të kthehem se kam dashur ta shoh në sy, jemi takuar dhe sot për kuotën morale që e mat detyrën Sandër Lleshaj. Në këtë vend, nuk janë të gjithë njësoj, as politikanët nuk janë njësoj.
Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të policisë, por është hapur një varr
Jemi takuar sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten e detyrën e tij Sandër Lleshaj. Unë e kam ditur, sot le ta mësojnë të gjithë ata që duan të besojnë tek fakti se në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai s’ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të efektivit të policisë. As direkt, as indirekt. Por është vrarë një djalë 25 vjecar dhe është hapur një varr në shpirtin e një familjeje shqiptare, e është krijuar një brengë në shpirtin e një populli të tërë. Tjetër të ndash dhimbjen me fjalë, tjetër ta adresosh brengën me një gjest njerëzor, qytetar, si shqiptar i mirë, duke përcjellë për të gjithë një mesazh ndjese që vlen sa një milionë fjalë”, është shprehur Rama.



