Profesori dhe eksperti i mjedisit Aleko Miho komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV raportin e Agjencisë Europiane të Mjedisit, ku Shqipëria renditet e fundit për pastërtinë e ujërave.
Miho theksoi se në ndotjen e ujërave në plazhet shqiptare ka ndikuar fakti që Shqipëria është një kantier ndërtimi kaotik, ku s’merret në konsideratë ruajtja e cilësisë së ujit.
Ai paralajmëroi se kostoja do jetë e lartë nëse do vazhdohet të ndërtohet në mënyrë kaotike, pa plane të mirëfillta dhe pa trajtim të ujërave.
"Ka dy muaj ky raport që ka dalë. Si qytetar më vjen keq që e dëgjoj një gjë të tillë, si biolog është e pritshme. Në 20 vitet e fundit Shqipëria është një kantier ndërtimi, e fokusuar në turizëm. Ndërtimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Unë vij nga Orikumi, janë kantiere ndërtimi. Ajo që është për të këshilluar është që ndërtimet që ne shohim janë pa plane të mirëfillta, që të marrin në konsideratë ruajtjen e cilësisë së ujit, dhe kapacitetet mbajtëse të zonave turistike.
Asnjëherë s’i paraprihet me kolektorin përkatës për të mbledhur dhe trajtuar ujërat. Kostoja do jetë shumë e lartë. Nëse ndërtojmë në mënyrë të tillë, kaotike, pa u kujdesur për mjedisit…Kroacia dhe Greqia janë në krye të listës, që i kemi shumë afër. Ne marrim dhe japim dhe kjo përvojë duhet të shkëmbehet. Duhet të shohim përvojat që ato kanë ndjekur. Në këto vende qëndrimi ndaj mjedisit është ndryshe.
Zhvillimi jonë e shpërfill fare mjedisit. Ne s’pyesim ku hedhim inertet, se ku do rrotullohesh për të vajtur te ajo ndërtesë. Në sajë të këtij zhvillimi kaotik unë shoh në Radhimë që ujërat s’janë më të asaj cilësie. Pa folur për atë ne hedhim plehra të tjera. U ndërtua një impiant përpunimi që s’u vu asnjëherë në punë. Kostoja për këtë është gjithnjë e lartë. Me këtë zhvillim edhe në Dhërmi do jetë e pashmangshme që ujërat ta humbasin cilësinë. I gjithë pellgu i Ishmit është zona kritike, e rëndë, se aty banojnë edhe njerëz. Herët a vonë s’mund të shpëtojmë nga trajtimi i ujërave. Ndotësi paguan. Kush ndërton një biznes duhet të marrë masa për trajtimin e ujërave, plehrave.
Dimë që është një impiant në Shkodër, punon s’punon, s’e di. Por duket se nuk është atje ku duhet shkalla e pastrimit, kështu edhe Drini i Lezhës, pa folur për Ishmin. S’e di a e trajtojmë 50 për qind të ujërave apo jo. Nëse duam turizëm të qëndrueshëm, s’duhet ta lejojmë zhvillimin në mënyrë kaotike, ku do ta ndërtojmë kolektorin...”



