
“Michael Kors” blen “Versace”-n. Grupi i veshjeve amerikane ka arritur një marrëveshje me kompaninë e themeluar nga Gianni Versace për të marrë kontrollin e saj. Pas nënshkrimit të dokumenteve, formalizimi pritet të bëhet më shumë shpejt. Ndërkohë, Versace nuk ka konfirmuar ende asgjë. Pasi bleu markën luksoze të këpucëve “Jimmy Choo” për 1.2 miliardë dollarë, “Michael Kors” vendosi të bëhej një pol luksoz ndërkombëtar, duke tërhequr në “orbitën” e tij një prej markave që përfaqësonin modën italiane në botë, edhe pas vdekjes tragjike të themeluesit të saj, Gianni Versace, i cili u vra në Miami në vitin 1997. Sipas marrëveshjes, familja Versace, e cila nëpërmjet kompanisë Holding Givi ka 80% të kompanisë, do të mbajë një rol të vogël në kompani.
“Versace” ose Shtëpia e Meduzës u themelua zyrtarisht në vitin 1978 nga partneriteti midis Gianni Versace-s dhe vëllait të tij, Santo. Por ndoshta ajo ka lindur akoma më herët, gjatë fëmijërisë së tyre në Reggio Calabria, ku Gianni mësoi të qepte në rrobaqepësinë e së ëmës.
Më pas, me transferimin në Milano, arritën vitet e suksesit. Kulmi do të ishin vitet '90, kur fama e tyre e kaloi oqeanin. “Versace” solli në pasarela emra të mëdhenj si Cindy Crawford, Carla Bruni, Naomi Campbell, Claudia Schiffer dhe Helena Christensen. Viti 1997 do të ishte viti i dramës: Gianni Versace u vra në vilën e tij në plazhin në Miami Beach nga Andrew Cunanan, vrasës serial, përgjegjës edhe për katër vrasje të tjera. Që atëherë, “Versace” ka kaluar në duart e vëllait Domingo, president me 30% të kompanisë; motrës Donatella Versace, e cila është shpirti krijues me 20% të kompanisë, dhe e bija e Donatellës, Allegra Versace Beck, që ka trashëguar nga daja 50% të aksioneve.



