Prokurori Adnan Xholi ka shpalosur në mbledhjen e sotme të KLP-së platformën e tij për drejtimin e SPAK-ut, ku e vuri theksin te çrrënjosja e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe vijimin e hetimeve të shpejta dhe cilësore. Xholi vuri në dukje se filozofia e tij është “puna në ekip”, ku drejtuesi i SPAK-ut duhet të japë shembullin e tij në drejtimin e institucionit. Xholi u shpreh se SPAK ka nevojë të shtojë numrin e prokurorëve.
“SPAK ndodhet në fazë konsolidimi implementimi i strategjive të institucionit lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po aq e rëndësishme është dhe mbrojtja dhe integriteti dhe i pavarësisë së institucionit, mbrojta nga sulmet e padrejta që u bëhen magjistratëve dhe prokurorëve. Shpreh vlerësimet maksimale ndaj trupë së SPAK, për rezultatet që kanë arritur pasi secili prej tyre është kandidat potencial për ta drejtuar atë strukturë.
Krahas sukseseve që kjo strukturë ka arritur ka ardhur koha të vijohet me hetime të mëtejshmme, cilësore në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetimet penale ashtu edhe me hetimet pasurore me qëllim identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë”.
Xholi solli në vëmendje se gjatë punës së tij si prokuror “janë arrestuar dy deputetë në detyrë”, gjë që nuk kishte ndodhur më herët.
“Synimi im kryesor është të rrisim cilësinë e hetimeve, të krijojmë SPAK-un si strukturë proaktive, duke ruajtur standarde më të larta”.



