Zjarri që ra mbrëmjen e së premtes në zonën mes fshatrave Asim Zeneli, Antigone dhe Saraqinisht u vu nën kontroll pas rreth gjashtë orësh pune intensive nga forcat e MZSH Gjirokastër.
Alarmi u dha në orën 22:50, ndërsa terreni i vështirë, i mbuluar me shkurre, bar të thatë dhe bimësi të dendur, e vështirësoi ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Në operacion morën pjesë efektivët e MZSH Gjirokastër, zjarrfikës me kontratë të përkohshme, si edhe forca vullnetare të Bashkisë Gjirokastër.
Flakët u shuan plotësisht në orën 04:45, pasi përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme me barishte dhe shkurre.
Sipas vlerësimeve paraprake, ekzistojnë dyshime se zjarri është vendosur qëllimisht, pasi flakët u konstatuan në katër vatra të ndryshme. Organet ligjzbatuese kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



