I ftuar në emisionin ‘Zgjohu me MCN’, kampioni i MMA dhe arteve marciale, Jurgen Çika, ka rrëfyer emocionet dhe përjetimet e fitores së tij të parë në kickbox.
Fitues i shumë titujve në disiplinat e arteve marciale, Çika tregoi se kalimi nga një disiplinë në tjetrën ishte një sfidë më vete, por edhe një eksperiencë unike.
Ishte eksperienca e parë dhe emocioni i fortë që kalova nga një disiplinë në një tjetër, një eksperiencë ndryshe. Luftova në një disiplinë tjetër të kickbox-it. Ndeshjen e kisha para 4 ditësh dhe kundërshtari ishte nga Bosnje-Hercegovina.
Ai kishte debutuar para meje dhe e kishte ndeshjen e tretë në atë fushë. Kisha emocione, por pasi mora grushtin e parë në fytyrë pësova një tronditje dhe dukej sikur ai më solli në vete. Që nga ai moment nisa të debutoja derisa arrita fitoren.
Megjithatë, ai theksoi se ëndrra e tij mbetet MMA. Sportin e ka zhvilluar jashtë Shqipërisë, ndërsa tashmë lufton për flamurin kuqezi.
Kam pasur oferta edhe nga jashtë. Para një viti më erdhi një ofertë nga Selaniku në Greqi, por kam pritur nga vendi im. Ndeshjet e para i kam nisur në Gjermani, ku edhe e kam filluar sportin.
Ishte ndeshja e parë që kisha babin në krah dhe emocioni ishte edhe më i fortë. Fjalët e tij motivuese ishin forca ime. Babi u gëzua shumë dhe ishte i bindur në fitoren time.
Çika bëri të ditur se më 26 prill do të rikthehet sërish në kafaz në një ndeshje MMA, ku synon të vazhdojë me hapa të sigurt drejt objektivave të tij, pa lënë pas edhe pasionin për kickbox-in.



