Opozita sllovake fitoi zgjedhjet parlamentare të së shtunës, por nuk mund të formojë qeveri e vetme.
Partia e qendrës së djathtë, Qytetarët e Zakonshëm, e kryetarit Igor Matovit u shpall fituese me më shumë se 25 për qind të votave. Pesë partitë që e quajnë veten "opozita demokratike" kanë marrë gati 50 përqind të votave.
Matovič deklaroi sot se po kërkon të formojë një qeveri, e cila të mbështetet në Parlament nga të paktën 90 deputetë. Me një numër të tillë nga 150 vende që ka Parlamenti sllovak, qeverisë së re do t’i bëhej e mundur miratimi i disa ndryshimeve në gjyqësor.
Ai e ka përjashtuar mundësinë e aleancës me partinë në pushtet Smer, por tha se do të diskutojë me partinë e krahut të djathtë, Ne jemi Familja, të udhëhequr nga Boris Kollár, e cila u rendit e treta.
Partia Smer e kryeministrit Peter Pellegrini, i cili ka qeverisur Sllovakinë për 12 nga 14 vitet e fundit, përfundoi e dyta me pak më shumë se 18 për qind të votave. Dy partnerët e saj të koalicionit nuk arritën të merrnin votat e mjaftueshme për t’u futur në Parlament.
Partia në pushtet e ka humbur mbështetjen në mënyrë progresive pas vrasjes në vitin 2018 të gazetarit investigativ, Ján Kuciak, dhe të fejuarës së tij, Martina Kušnírová. Vrasjet ngjallën protesta mbarëkombëtare dhe çuan në zgjedhjen në vitin 2019 të aktivistes antikorrupsion, Zuzana Čaputová, si president.



