
Në Spaç të Mirditës, 77 minatorë të minierës së bakrit kanë hyrë në grevë që prej 13 tetorit. Ditë pas dite, qëndrojnë në shi para hyrjes së minierës, me një kërkesë të vetme: kontratën kolektive. Në vend të dialogut, ata kanë marrë heshtjen e koncesionarit turk “TETE” dhe praninë e policisë.
“Na trajtojnë si skllevër. Duam dinjitet, trajtim si njerëz”, thotë një prej tyre.
Në Spaç, pagat janë qesharake, 4 deri në 5 mijë lekë dita, ndërsa kompania prej 11 vitesh deklarohet me humbje.
“Nxjerrim tre kamionë mineral në ditë, por na thonë jemi minus”, rrëfen një tjetër.
Kushtet e punës janë alarmante, ventilatorë që ndalojnë, mungesë oksigjeni, ndotje, armatura të dobëta dhe aksidente të fshehura. Pastrojnë ajrin kur vijnë kontrollet”, thonë minatorët, ndërsa shtojnë, “Nga pluhuri, dukemi si afrikanë.”
Por më e rëndë është përplasja me policinë. Gjatë grevës, punëtorët denoncuan në emisionin “Fol” në MCN TV se janë dhunuar nga forcat e rendit, ndërsa drejtori i policisë shihet duke tërhequr me forcë një prej minatorëve.
“Policia e Shtetit është bërë palë me koncesionarin. Nga shteti ka ardhur vetëm policia për të na intimiduar”, thonë ata.
Në vend të hetimit, heshtje. Asnjë reagim zyrtar nga kompania apo institucionet.
“Shteti është në gjumë. Inspektorati i Punës nuk është bërë i gjallë”, shprehet një minator.
Përmes një statusi në Facebook, ish-zëvendëskryeministri socialist Erjon Braçe, i cilësoi protestuesit “punëtorë që gëzojnë të drejtën kushtetuese të mbrojtjes shoqërore dhe të bashkimit sindikal.”
Në fshatin Gurth, ndotja nga galeritë ka tharë pemët, ndotur ujin dhe shembur shtëpi. Një familje jeton sot në kontejner.
“Pasurinë tonë po e merr turku, ne po i bëjmë lekët ilaçe”, thotë një prej tyre.
Në një vend ku nëntoka është e pasur, por njerëzit e saj jetojnë në varfëri, greva e Spaçit është bërë simbol i qëndresës dhe dinjitetit të punëtorit shqiptar që nuk pranon më të mbetet nën tokë.



