Dy ish-gjeneralët Dedë Prenga dhe Sulejman Abazi diskutuan në studion e MCN Informacion mbi kapacitetet ushtarake të Shqipërisë dhe mundësinë e ngritjes së tyre. Ata thanë se Shqipëria ka një përvojë të gjatë në prodhimin e arsenalit ushtarak, e cila mund të rigjallërohet. Por kjo sipas tyre duhet t’u besohet vetëm ekspertëve.
SULEJMAN ABAZI- ISH - GJENERAL
Është një rikthim dhe një rilindje e industrisë ushtarake. Ajo që trashëguam nga regjimi i kaluar u la në harresë.
Të gjithë po rendin për t’u armatosur duke rritur buxhetet ushtarake. Në Ballkan fuqia më e madhe ushtarake është Serbia me 1.7 miliardë euro buxhet për mbrojtjen. Pas saj vjen Kroacia me gati 1 miliard, me një fuqi ushtarake të konsiderueshme. Pastaj vjen Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Shteti ynë ka pasur përvojë të gjatë në çështjen e industrisë ushtarake. Kemi pasur disa uzina dhe linja prodhimi. Kemi prodhuar predhën e obuzit 122 mm me veshje gize, kemi prodhuar të gjitha municionet e këmbësorisë. Ne kemi pasur linjën e prodhimit të barutit në standardin më të lartë ndërkombëtar. Kemi pasur linjën e prodhimit të tritolit në Mjekës. Austria blinte prodhimin vjetor. Kemi pasur uzinën e riparimit të avionëve në Kuçovë. Pra, përvoja është, baza është pavarësisht se e kanë mbuluar ferrat. Kemi përvoja të hidhura, ndaj serioziteti dhe transparenca nga ana e qeverisë shqiptare duhet të jetë maksimale.
DEDË PRENGA – ISH- GJENERAL
Zgjuarsia e politikës që t’i hapë rrugë ekspertëve është të dimë të zgjedhim atë për të cilën kemi nevojë dhe mund të dalim fitues me të në treg. Është e vështirë të konkurrosh Turqinë apo Italinë, që ushtrinë e kanë pjesë kryesore të forcave të Armatosura. Bota ka ecur, ne jemi shumë mbrapa.
Marrëdhënia e partneritetit është e tillë që, nëse njëra palë çalon ngelet pa u realizuar objektivi. Shteti duhet të luajë edhe rolin e kontrollorit si kjo para shpenzohet. Nuk mundet shteti ta mbajë me investimet e buxhetit 100%. Pasi të futet në prodhim do të jetë aftësia e saj për marrëveshje të zgjuara nga të cilat të nxjerrë të ardhura për të rritur prodhimin. Sfida më e madhe për mua është ajo e menaxhimit.



