Kryeministri Edi Rama thotë se opozita po bëhet pengesë për zgjedhjet e 30 qershorit, pasi sipas tij, asaj nuk i intereson hapja e negociatave për Shqipërinë. Nga Maliqi, ku vijoi takimet elektorale, Rama deklaroi se opozita ia ka frikën zbatimit konkret të vetingut, pas hapjes së negociatave. Kreu i qeverisë tha se drejtësia e re nuk do të kursejë presidentë, kryeministra e ministra dhe kjo sipas tij është arsyeja pse opozita del kundër interesit të vendit.
“Ata kanë vendosur të marrin peng zgjedhjet për të marrë peng Shqipërinë. Ata e dinë shumë mirë po u çelën negociatat, bisedimet fillojnë me dy kapitujt e drejtësisë. BE s’do kërkojë më përputhje kushtetuese, se në letër i kemi të gjitha, nuk do shohë rezultatet e vettingut por do kërkojë prova që sistemi i drejtësisë funksionon, që në Shqipëri ka një drejtësi ku askush nuk mund të shpëtojë në rast se do të përballet me ligjin. Prova që sistemi ynë nuk ka të gjatë e të shkurtër, të shëndoshë e të dobët, po ka qytetarë që para ligjit janë të barabartë, mund të ndëshkohen, presidentë, kryeministra, ish-deputetë e ministra. Në këto kushte e kuptoni shumë mirë pse Berisha, Meta, Kryemadhi e Basha janë vendosmërisht kundër në kundërshtim me interesin e këtij vendi, duan të marrin peng zgjedhjet për të marrë peng Shqipërinë”, tha Rama.
Kreu i PS-së ironizoi sërish dekretin e Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve, ndërsa shtoi se nuk ka vend për frikën e ndonjë konflikti civil.
“I ka thënë fallxhorja të del një gjarpër në formë 8 që është 8 qershori, ditën e protestës do hajë ndonjë kokë ky gjarpër dil e shpëto vendin. Del ky e thotë shpëtova popullin nga gjakderdhja. S’ka asnjë gjakderdhje vetëm llumderdhje. Asnjë merak mos kini nga konfliktet”, tha Rama.



