Tre dekada nuk regjistrojnë dot pronat, të moshuarat në Himarë çdo ditë në polici

Tre dekada nuk regjistrojnë dot pronat, të moshuarat në Himarë çdo ditë në polici

Anastasi Kolila është 81 vjeç.

Ajo jeton e vetme në Himarë mes sëmundjes, pleqërisë dhe vetmisë që emigracioni i ka shkaktuar jo pak familjeve. Djemtë i ka rritur e vetme, pasi bashkëshorti i vdiq në moshë të re, dhe sot ata jetojnë në Greqi.

Kam dy djem, njërin në Athinë, tjetrin në Korfuz. I kam rritur vetë sepse burri më ka vdekur.

Anastasi Kolila, banore e Himarës, nuk është e pasur, edhe pse dikur familja e saj ka patur prona dhe bagëti. Komunizmi i mori familjes së saj jo vetëm pasurinë por dhe babin, të cilin nuk e pa më që kur ishte e mitur.

Babain ma akuzuan për propagandë i futën një letër sikur kishte folur kundër regjimit. Erdhën maunet me policë e morrën dhe neve 5 fëmijë na nxorrën në rrugë, na morrën shtëpi e katandi dhe çfarë kishim.

Edhe pse me besim të thyer, demokracia i ndezi shpresat për të se do të vihej drejtësi, por pronat e babait nuk i ka parë më. Sot ajo ka në dorë vetëm një akt të marrjes së tokës në pronësi të lëshuar në bazë të ligjit 7501 për punën në kooperativën bujqësore.

Janë vetëm 800 metra katrorë tokë brenda lagjes 1 Maji në Himarë. Por edhe pse ka më shumë se 3 dekada me letrat në dorë, nuk po e gëzon dot pronën.

Lagjja 1 Maji nuk ka patur interes të madh për banorë apo biznese për të marrë e zaptuar toka pasi ndodhet larg bregut të detit, por ndërtimi i Unazës së Himarës shtoi interesin vitet e fundit për grabitjen e tyre.

Toka që kam timen e ka marrë nipi i burrit tim dhe nuk e lëshon. Thotë është e imja. Kam bërë ankesa në bashki dhe del se ai e kishte marrë me dokumenta të falsifikuara, por prapë nuk e lëshon.

Kjo është toka që me dokumenta ka Anastasia, por që vazhdon të shfrytëzohet padrejtësisht nga nipi i bashkëshortit të saj, i cili së fundi ka krijuar një kamp për turistët.

Kolila ka bërë disa beteja kundër vendosjes së koordinatave të tokës gabimisht dhe ka arritur që të marrë përgjigje nga bashkia Himarë se prona është e saj. Por edhe pse kjo ka ndodhur, ajo nuk mundet të bëjë asnjë veprim, pasi akti i marrjes së tokës në pronësi nuk është regjistruar pranë Agjencisë së Kadastrës për të marrë titullin përfundimtar të pronësisë. Ajo i bën thirrje zyrtarëve që t’ia regjistrojnë dhe t’i japin zgjidhje që të gëzojë pronën.

Dua të më japin zgjidhje, ku nuk kam shkuar dhe nuk kam më fuqi… jam e vjetër dhe çdo vonesë për mua sot kushton…

Zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës thonë se regjstrimi fillestar i pronave ka përfunduar për një pjesë të bashkisë Himarë, por në zonën e lagjes 1 Maji nuk ka përfunduar plani i menaxhimit dhe kërkon që banorët të bëjnë durim.

Parcela ndodhet në një pjesë të zonës së Himarës , e cila është ende në process pune. Shumë shpejt ajo do të dali në afishim, ku do të pasqyrohen të gjithë titujt e pronësisë, rrjedhimisht edhe parcela e zonjës, gjithmonë nëse ajo ka depozituar në formën e kërkuar nga ligji të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

"Deri atëherë unë kam vdekur"

 Historia e Anastasi Kolilës nuk është e vetmja.

73-vjeçarja Sose Dhima e nis ditën e saj në dyert e stacionit të policisë së Himarës.

Një banor tjetër i Himarës, Niko Bollano, pretendon se i takon atij një tokë që Soses i është dhuruar nga kunata. Për këtë problem ajo ka vite që bën ece-jake në komisariatin e policisë, që pretendenti të mos hyjë në pronën e saj.

E mbetur e ve prej disa vitesh dhe me një vajzë të sëmurë me aftësi të kufizuara, ajo pret përditë zgjidhje nga shteti për 3300 metra katrorë që ka në lagjen 1 Maji.

Pronësinë e kësaj toke asaj ia ka dhuruar motra e bashkëshortit e cila i ka fituar me ligjin 7501 nga puna në kooperativë. Sosja endet dyerve të institucioneve që të regjistrojë tokën, por mungesa e planit të menaxhimit të zonës i ka lënë asaj në dorë vetëm dokumenta dhe një mal me probleme.

Isha në polici për të denoncuar një banor të Himarës, Niko Bollanon që më ka zaptuar pronën. Atje kam ullinj dhe i kultivoj prej vitesh. Kam shpenzuar për pastrimin e tokës aty sepse me ullnjtë nxjerr vajin dhe arrij të nxjerr të ardhura për të jetuar, por tani kur vjen puna për t’i vjelur nuk më lejon. Unë jetoj sot me pensionin tim dhe të vajzës të sëmurë.

Sose Dhima, banore e Himarës, thotë se njësoj si ajo, janë të shumtë banorët që përplasen në dyert e policisë për të zgjidhur problemin e pronave, problem i cili është bërë gangrenë për komunitetin në Himarë dhe që nuk po mbaron prej vitesh.

Ka plot njerëz që përditë vijnë si unë këtu. Ja ku dola dhe policia ma mori denoncimin, tani kam punë të shkoj në bashki sepse duhet që bashkia të më bëjë ndarjen e koordinatave. Niko Bollano ka kufitarë të tjerë, nuk ka ata që janë te prona ime, përse duhet të vijë te prona ime? Përse nuk më japin zgjidhje?

Toka e Soses ndodhet në kufi me aksin e Unazës Himarë, ndaj dhe po lakmohet, ndërsa dyshon se pas këtyre tentativave qëndrojnë interesa të mëdha biznesmenësh.

Në trungun e pemëve të ullinjve gjen të shkruara inciale N.B. dhe S.DH. që në kohë të ndryshme pretendentët e tokës i kanë vënë për të treguar pronarin.

Ka ardhur një ditë dhe ka shkruar N B, Niko Bollano dhe pastaj edhe unë kam shkruar incialet e mia, ka ardhur prapë mi ka fshirë dhe ka shkruar prapë incialet e tij. Kjo histori nuk mbaron, zgjidhje duhet të më japë shteti.

Edhe për këtë rast Agjencia e Kadastrës thotë se pritet që të bëhet së shpejti menaxhimi i zonës dhe afishimi publik, i cili do t’i paraprijë procesit të regjistrimit të tokave.

Bregdeti dhe pronat e tij kanë qënë gjithnjë të lakmuara nga të gjithë.

Bukuritë natyrore të rivierës të jugut shqiptar kanë bërë që lufta dhe përplasjet për të patur toka në këtë vend të jenë më të ashpra.

Kryebashkiaku i Himarës Gjergji Goro na tregon se emigracioni dhe kaotizmi i viteve 90’ prodhuan më shumë rrëmujë për pasuritë e patundshme në këtë zonë.

Njerëz që iknin, shtëpi të paregjistruara ndër vite dhe të braktisura dhe toka që shpërndaheshin deri vonë me ligjin 7501.

Himara ka marrë një hov të madh në aspektin turistik dhe dihet që interesi kur zhvillohet turizmi është edhe të prona. Për ne ka qënë një shqetësim i vazhdueshëm dhe bashkia ka qënë e hapur për cdo problematikë që kanë banorët dhe çdo shqetësim që ata kanë, por zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave, në fund të fundit e ka menaxhimi që duhet të bëjë regjistrimin e pronësisë (kadastra) dhe për çdo konflikt kur nuk arrihet një konsensus është drejtësia që ne nuk e ndalojmë dot.

Gjergji Goro, kryetar i Bashkisë Himarë, thotë se procesi i regjistrimit të pronave në këtë zonë sa ka filluar dhe do të zgjatë.

Procesi i regjistrimit vazhdon, është një proces që sapo ka filluar dhe do të zgjatë, sepse pretendimet e pronarëve nuk do të mbarojnë.

Ai sqaron se menaxhimi i zonavë kadastrale është detyrë e Agjencisë së Kadastrës dhe se bashkia ka një rol ndihmues dhe inkurajues për qytetarët që paraqesin dokumentat dhe pretendimet për tokat. Disa zona kanë përfunduar.

Unë mund t’iu them se Palasa është mbyllur, Vunoi është mbyllur, Dhërmiu është mbyllur, blloku i parë i Himarës, Livadhi është mbyllur, por qytetarët duhet të avancojnë më shumë me aplikimet dhe dorëzimin e dokumentacionit dhe dokumenta që duhen dhe krijohen vonesa.

Problemet e tokave kanë mbajtur peng shpesh edhe zhvillimin e projekteve të bashkisë Himarë.

Ne jemi përpjekur që të investojmë dhe të shmangim konfliktet me qytetarët. Nëse një investim ishte parashikuar për tu bërë për 6 muaj, ai ka zgjatur dhe 1 vit…

Edhe pse zemra e konflikteve të pronësisë sot është në bregdetin e bashkisë Himarë, zyra e kadastrës ndodhet në Vlorë, duke vështirësuar më shumë jetën e banorëve që enden me dokumentat e formularët e aplikimit në duar.

Jemi në kontakt me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe po përpiqemi të rihapim zyrën e kadastrës në himarë më shumë për të sqaruar qytetarët se çfarë procedurash duhet të bëjnë dhe për t’i mësuar se si duhet të bëjnë aplikimit.

Por nëse banorët e Himarës kanë vite që konfliktohen me njëri – tjetrin dhe kërkojnë zgjidhje nga institucionet që të regjistrojnë tokat, persona të tjerë me interesa biznesi kanë arritur të fitojnë më shpejt se ata titullin pronar!

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy