
Duke iu drejtuar opozitës në Kuvend, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh se fjalët që ia thonë atij me zell për mos pranimin e marrëveshjes finale pa njohje reciproke, duhet t’ia thonë edhe përfaqësuesit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ju inkurajoj, qysh ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, qysh m'i thoni mua - aman ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë”, ka thënë Kurti.
“Propozimi evropian për marrëveshje, nuk ka qenë merre ose leje. I kam pyetur emisarët a është ky propozim merre ose leje. Nëse nuk është, kam thënë është bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm. Sepse nuk më kanë thënë lëre ose merre. E kam thënë që e pranoj si platformë solide për me ecë përpara. Platforma është vendi prej nga nisesh, jo ku banon dikush. Si destinim, nuk është më ofruar. Është procesi negociator që i paraprin destinimit. Është kundër logjikës së negociatave”, vijoi Kurti.



