Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, vendim i qeverisë për shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, e cilësoi të çuditshëm por edhe veprim të zakonshëm të cilin jemi mësuar që ta shohim.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme, ai deklaroi se kur priteshin përgjegjësi në nivele të larta për dështimin e rendit publik, përkeqësimit të treguesve në luftën kundër krimit dhe trafiqeve, është e qartë që u bë një “kokë turku” e radhës.
Vetëm 10 muaj më parë u promovua me shumë entuziazëm dhe vlerësime si një prurje e re, cilësore dhje shpresëdhënëse për drejtimin ligjor dhe qytetar të Policisë së Shtetit.
Nuk besoj se ka më ndonjë naiv në këtë vend që të besoj se drejtori i policisë deri dje, apo deri para dy vitesh apo deri para 10 vitesh që nga momenti kur Edi Rama u bë Kryeministër, drejtori dhe performanca e tij ka qenë problemi i rendit publik, sigurisë, kriminalitetit, luftës kundër drogës dhe trafiqeve, por as edhe thjesht ministrave që janë bërë kokë turku.
Ndërkohë situata e rendit ka ardhur vetëm duke u rënduar dhe përkeqësuar në mënyrë ekstreme, gjë që e tregojnë edhe demonstrimet e hapura të forcës së nëntokës që kanë dalë mbi tokë.
Shpesh edhe përfshirja e segmenteve të policisë për arsye politike, në këtë nxitje ‘hëngshin kokat’ me njeri tjetrin që ka bërë dhe promovuar vetë Kryeministri aktual.
Të gjithë e dinë se lidhjet e bandave janë të drejtpërdrejtë me Kryeministrin, me ministrat, kryetarët e grupeve të deputetëve sipas qarqeve.
Kjo është arsyeja se pse shumë drejtues të policisë në qarqe janë të zgjedhur prej saj për qëllime politike, elektorale dhe shantazhuese por që nuk kanë asnjë lidhje me zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit.
Askush nuk mund të gënjehet dhe mashtrohet se një shkarkim si ky i sotmi mund të jetë shpresëdhënës për garantimin e sigurisë qytetare dhe publike, apo për depolitizimin e këtij institucioni thellësisht partiak.
Të gjithë llogaridhënien për dështimin e rëndit publik, vrasjet që ndodhin çdo ditë në mes të qyteteve dhe autostradave, ta kërkojmë te njeriu që ulet drejtpërdretë me krimin, e motivon atë, e ka ndarë Shqipërinë në principata nën patronazhimin e vetë kriminelëve, duke dëmtuar funksionimin e ligjit dhe integritetin e Policisë së Shtetit.
Meta ftoi punonjësit e policisë që të bëjnë gjithçka që të zbatojnë ligjin dhe të mos përdoren nga politika, duke thënë se shumë shpejtë Policia do rifitojë dinjitetin e humbur dhe të nëpërkëmbur nga banda në pushtet.



