Ish-deputeti Alfred Peza, ka rrëfyer përjetimet e familjes pas akuzave dhe hetimit, që nisi muaj më parë ndaj tij. Në një intervistë për Rudina Magjistarin, në “TV Klan”, ka prezantuar romanin e tij, të cilin ia ka dedikuar nënës, që ka ndërruar jetë në fund të gushtit. Gazetari i njohur ka rrëfyer se ishte pikërisht historia e tij që i shkaktoi tronditjen e rëndë nënës, e cila pasi qëndroi disa muaj në koma, ndërroi jetë.
“Akuzat ndaj meje nuk kanë lënë pasojë vetëm te mamaja, por edhe te fëmijët. Njëherë djali, Almiri, i thoshte Mirelës: Mami njeh ndonjë rrobaqepës se më janë grisur pantallonat. Unë nuk e kapa fillimisht dhe e pyes Mirelën: Çfarë po thotë djali? E pyeta: Po pse nuk mund të blesh pantallona të tjera? Ai mbeti. Kishte dëgjuar aq shumë gjëra për babain, për marrëdhëniet financiare të tij me drejtësinë, saqë nuk guxoi më të kërkonte as edhe pantallona të reja. Ndërsa vajza kishte një tur, që bëjnë në orën e gjeografisë nxënësit e shkollave të mesme për të njohur trojet ose vendet afër. Ishte programi që të shkonte në një vend fqinj. Në një nga këto turet 1 ditore që shkohet me autobus për 20-30 euro dhe kthehen. Edhe ajo i thotë së ëmës: “Unë nuk do të shkoj sigurisht këtë radhë! Pse, i thotë ajo, t’i s’je ndarë asnjëherë nga shoqet. Vajza i përgjigjet që nuk donte që të shkonte këtë radhë. Edhe unë e dëgjova edhe këtë gjë dhe u bë ajo që duhej bërë pastaj, sigurisht. Ndërsa historia e tretë ka të bëjë me Mirelën. Dolëm njëherë për kafe afër pallatit ku banojmë, kur ishte kulmi i kulmeve të vëmendjes publike ndaj çështjes. Sigurisht që të gjitha shigjetat e shikimeve të njerëzve drejtohen, ndoshta është normale në një vend të vogël kur ke një njohje publike relative. Kur dolëm poshtë, më thotë: “Ua çfarë ka ndodhur kështu?! Çfarë kemi bërë? Pse?,- i thashë unë. Po të gjithë janë duke na parë ne, e po i kthejnë kokat si luledielli”, më tha. Iu përgjigja se ndoshta të duket ashtu, por me siguri që nuk po na shohin ne. Po t’i nuk e pe fare më tha, ktheje kokën edhe shikoje që ne po na shohin. Nuk e kthej kokën,-i thashë, se jam i sigurt që nuk po na shohin ne. Po kë po shohin atëherë? “Po shohin dy thasë me lekë, që po ecin”, iu përgjigja.
Peza tha se ka qenë vendimi i tij për të mos kandiduar. “Sot, çështja për mos pasur kompetencë nga Gjykata e Lartë, kaloi te Gjykata e Krimeve të Rënda, sepse Gjykata e Lartë do ta gjykonte çështjen,vetëm nëse unë do të isha akoma deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Unë u tërhoqa nga kandidimi. Nuk kam pasur asnjë pengesë kushtetuese, juridike dhe morale për të kandiduar. Në mbledhjen e Kryesisë së PS, kur po miratoheshin listat, kërkova fjalën i pari dhe deklarova tërheqjen time nga gara derisa të sqarohet farsa e ndyrë që po luhet në kurrizin tim dhe të familjes time. Sipas nenit 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, citoj: “Kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Sigurisht, që në çastin e zyrtarizimit të listave të kandidatëve për deputetë dhe tani, unë jam i pafajshëm sepse procesi ndaj meje ende nuk ka filluar në themel. Por unë u tërhoqa nga kandidimi për një arsye fare të thjeshtë. Sepse unë e konsideroj politikën akt. Ky ishte akti im, sepse kjo është në kulturën time dhe unë e bëra aktin tim të tërheqjes, pasi i përmbahem rregullave të mia. Me pozicionin dhe statusin tim juridik, ka të tjerë që kandiduan në zgjedhjet e 25 qershorit, fituan dhe bravo i qoftë, dhe tani janë atje, në sallën e Parlamentit të ri”, tha ai.



