
Kreu i vetëshpallur i Republikës Popullore të Donetskut, Alexander Zakharchenko ka mbetur i vrarë gjatë një shpërthimi në një lokal.
Lajmi bëhet i ditur nga disa media ruse, sipas të cilave Zakharchenko ishte udhëheqës i separatistëve të mbështetur nga Rusia në Donetsk të Ukrainës lindore.
Policia ka rrethuar zonën, ndërsa disa ambulanca sipas agjencisë Interfax ndodhen në vendin e ngjarjes.
Sipas BBC, disa ukrainas të dyshuar për shpërthimin u arrestuan aty pranë, tha një burim i sigurisë rebele.
Rebelët e armatosur rëndë në rajonet Donetsk dhe Luhansk refuzojnë të njohin qeverinë e Ukrainës në Kiev.
Raportet e rebelëve dhe rusëve thonë se ministri separatist i financave Alexander Timofeyev u plagos në shpërthimin në kafenenë Separ.
"Sipas informacioneve paraprake, fatkeqësisht është e vërtetë. Udhëheqësi i republikës pësoi një plagë fatale nga shpërthimi", tha për agjensin e lajmeve Interfax, një rebel i lartë i Donetskut, Vladislav Berdichevsky.
Moska mohon dërgimin e trupave të rregullta dhe armëve të rënda separatistëve, por pranon se "vullnetarët" rusët po i ndihmojnë rebelët.
Rebelët konfiskuan pjesë të mëdha të territorit në rajonet Donetsk dhe Luhansk në një kryengritje në prill të vitit 2014.
Linja e parë midis tyre dhe trupave qeveritare të Ukrainës ka mbetur kryesisht statike për muaj, por përplasjet vazhdojnë pavarësisht nga një marrëveshje e brishtë e armëpushimit.



