Soko: Projektligji për shitjen e tokës bujqësore ka probleme kushtetuese, favorizon shqiptarët me pasaportë të huaj

Soko: Projektligji për shitjen e tokës bujqësore ka probleme kushtetuese, favorizon shqiptarët me pasaportë të huaj

Debati për lejimin e shitjes së tokës bujqësore tek shtetasit e huaj ka rikthyer diskutimet mbi sigurinë territoriale dhe ndikimin ekonomik që mund të sjellë një nismë e tillë. 

 

Në emisionin “MCN Economy”, eksperti i ekonomisë Pano Soko ngriti shqetësime të forta mbi projektligjin, duke e cilësuar atë problematik si në aspektin kushtetues, ashtu edhe në praktikën e zbatimit.

 

Sipas Sokos, ligji është hartuar për një periudhë afatgjatë dhe lidhet me perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, çka sipas tij e bën të paqartë nevojën për miratimin e menjëhershëm të tij.

 

Ky është një ligj që bëhet kur kemi 7 vjet brenda BE-së, ndërkohë që ne ende jemi në dilemë nëse do të hyjmë apo jo. Minimalisht ky ligj do të hyjë në fuqi pas 11 vitesh, ndaj duket sikur po bëhet tani vetëm sa për ta bërë.

 

Eksperti argumentoi se në praktikë investitorët e huaj nuk kanë pasur mungesë aksesi në tregun shqiptar, pasi sipas tij Shqipëria ka qenë thuajse plotësisht e hapur për investime të huaja.

 

Përfituesit realë të këtij ligji pritet të jenë shqiptarë me shtetësi të huaj dhe jo investitorë të huaj tradicionalë. Historia ka treguar se ligje të tilla kanë favorizuar shqiptarë me pasaportë të huaj dhe jo të huaj të mirëfilltë. Një investitor i huaj edhe sot e ka mundësinë të vijë dhe të investojë në Shqipëri.

 

Në analizën e tij, Soko theksoi se projektligji përcakton se toka e blerë duhet të përdoret vetëm për prodhim bujqësor dhe jo për ndryshim destinacioni, por ngriti pikëpyetje mbi aftësinë e shtetit për të kontrolluar zbatimin e këtij kushti.

 

Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që cenon integritetin territorial të vendit.

 

Ne duhet të ruajmë integritetin e territorit tonë, sepse ndryshe rrezikojmë të bëhemi një shtet privat ku blihet e gjithë Shqipëria.

 

Eksperti shtoi se nisma përballet edhe me pengesa kushtetuese dhe sipas tij, Kushtetuta duhet të ndryshohet përpara se projektligji të mund të miratohet.

 

Ka probleme kushtetuese dhe nuk e di si mund ta kalojë Presidenti pa u rregulluar më parë Kushtetuta. 

 

Pse kemi nevojë për këtë ligj? Sepse çdo ligj synon të rregullojë një aktivitet që në një moment të caktuar ka marrë përmasa të mëdha ose ka krijuar nevojë për ndërhyrje. Në këtë rast, nuk duket se ka pasur një interes të tillë për blerjen e tokave që të lindte domosdoshmëria për një ligj të ri rregullues. 

 

Nuk mund të krijojmë ligje thjesht me arsyetimin se “po na ikin lekët”. Sot, bujqësia është në tkurrje; nga sektori kryesor që ka qenë dikur, ka kaluar në vendin e tretë në ekonomi. Për më tepër, nuk kemi pasur as kërkesë reale apo të konsiderueshme për blerje tokash.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy