
Autori i sulmeve terroriste në Zelandën e Re, i cili vrau 49 persona dhe plagosi 20 të tjerë, adhuron nacionalizmin ballkanik dhe ka kritikuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Në profilin e tij që mban emrin Brenton Tarrant, pak para sulmeve në dy xhamitë neozelandeze, ai ka postuar një këngë që i kushtohet Radovan Karaxhiçit, të cilit pritet t’i jepet javën e ardhshme dënimi final për akuzën e gedocidit dhe krimeve të luftës (Karaxhiç është dënuar, por e ka apeluar vendimin në korrik 2016).
Para sulmeve, Tarrant ka publikuar një manifest prej 73 faqesh, në të cilin thuhet se motivi i sulmeve ishte "të krijonte frikë". Në të përfshihet edhe një fjalim plot urrejtje për emigrantët, ku bëhet thirrje për vrasje të myslimanëve dhe supremacinë e racës së bardhë.
Teksti gjithashtu ka një pjesë ku flitet për luftën e Kosovës.
"Ballkanizmi do të zvogëlojë aftësinë e SHBA-së për t’u projektuar si fuqi globale dhe në këtë mënyrë do të sigurojë që kurrë më të mos ndodhë një situatë e tillë si përfshirja e SHBA-ve në Kosovë”, thuhet në manifest.
NATO ka udhëhequr operacionet paqeruajtëse në Kosovë që nga qershori 1999, pas sulmeve të saj ajrore që i dha fund masakrës së paramilitarëve serbë mbi popullsinë civile në Kosovë.
Fotot e postuara në profilin e tij tregojnë armatime, mbi të cilat janë shkruar emra si ai u Marko Miljanoviç Popoviç, i cili udhëhoqi fisin e tij në luftën kundër Perandorisë Osmane; Bajo Pivljanin, një komandant i cili gjithashtu luftoi kundër Perandorisë Osmane në Bosnje dhe Mal të Zi. Një tjetër emër i shënuar në armatim ishte Novak Vujoseviç, i cili luftoi në anën e Malit të Zi në betejën e Fundinës kundër forcave të Perandorisë Osmane.
Deri tani policia e Zelandës së Re ka arrestuar katër persona në lidhje me dy sulmet terroriste.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, i quajti masakrat "Dita më e errët që ka parë Zelanda e Re".



