
Ashtu siç kishte paralajmëruar, presidenti Ilir Meta doli para mediave mëngjësin e sotëm në një konferencë shtypi lidhur me krizën politike në të cilën ndodhet vendi. Meta e cilësoi një truk procedural vendimin e djeshëm të Kolegjit Zgjedhor për Partinë Uniteti Kombëtar. Lidhur me këtë vendim, Meta tha se ai ka të bëjë vetëm me palët në proces, pasi Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e një dekreti presidencial.
“Vendimi i marrë dje ka të bëjë vetëm me partinë ankuese. Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte vendimin. Presidenca nuk është thirrur si palë. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, vendimi i djeshëm ka efekt vetëm kundrejt palëve në proces dhe asaj që është zgjedhur”, tha Meta.
Kreu i shtetit i cilësoi si zgjedhje imagjinare ato të 30 qershorit, ndërsa duke iu referuar vendimeve të marra nga KQZ, për këtë të fundit përdori termin “organizata socialiste në KQZ”.
“Vendimi i djeshëm është truk procedurial për të justifikuar paligjshmërinë e organizatës socialiste në KQZ. Ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek vlefshmërinë e dekretit presidencial. Gjithçka që u pa dje ishte një shfaqje e rëndomtë që nuk ka lidhje me shtetin e së drejtës”, tha ai.
Meta tha se anulimi i zgjedhjeve, të cilat ai i quajti moniste, është marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe mund të ankimohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë pikë, ai tha se është në pritje të tërheqjes së maxhorancës nga zgjedhjet e 30 qershorit, prej të cilave na ndajnë vetëm 5 ditë.
“Dekreti për shfuqizimin e dekretit të datës së zgjedhjeve është marrë në mbështetje të plotë të ligjit. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë vlefshmërinë e tij. Presidenti i bën thirrje maxhorancës të tërhiqet. Vazhdoj të jem i duruar dhe të pres reflektimin e tyre. E vetmja rruga mbetet dialogu politik dhe respektimi i ligjit”.
Meta preferoi të mos komentonte deklaratat e ambasadorëve të huaj në Tiranë në lidhje me zgjedhjet, duke nënkuptuar që kjo është një çështje e brendshme e vendit.
“Nuk kam anuluar zgjedhjet në vende të huaja, në ambasada apo në organizata të huaja. Kam anuluar zgjedhjet në Shqipëri”, tha ai.
Meta e përjashtoi mundësinë e dorëheqjes, duke theksuar se do t’i shkojë deri në fund mandatit presidencial.
“Ky institucion nuk më përket mua, i përket republikës. Nga ky institucion do të nisë ringritja e republikës, për t’i dhënë fund tiranisë. Do të jem këtu deri më 24 korrik 2022”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me shpërndarjen e Parlamentit, një hipotezë e hedhur javën e fundit, Meta tha se “Presidenti do të bëjë çdo veprim për t’i shërbyer mbrojtjes së republikës dhe institucioneve të saj”.
Ndërsa, një tryezë dialogu, kreu i shtetit e kushtëzon me heqjen dorë nga zgjedhjet nga ana e socialistëve. “Kjo iniciativë fillon kur maxhoranca të tërhiqet nga kjo nismë e paligjshme”.
"Në republikën e Shqipërisë ka vetëm një insitucion që vendos për datën e zgjedhjeve dhe ky është presidenti. Nëse nuk ua thonë ambasadorët, po ua them unë: pa zgjedhje nuk ka çelje negociatash", përfundoi Meta.



