Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kërkon nga institucioneve te drejtësisë t’i zbardhin krimet e kryera gjatë dhe pas luftës.
Presidenti Thaçi i ka dërguar sot katër letra në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Këto kërkesa të presidentit Thaçi për institucionet e drejtësisë në vend, vijnë pas dorëzimit nga bashkësia ndërkombëtare tek institucionet vendore të gati të tërë kompetencave që kanë mbajtur në fushën e drejtësisë.
“Falë profesionalizmit, paanshmërisë, përkushtimit të dëshmuar të të gjithëve që punojnë sot në sistemin e drejtësisë, tani kemi marrë në duart tona përgjegjësi që nuk i kemi pasur asnjëherë. Dhe pasi që këto kompetenca janë bartur tek institucionet vendore, përgjegjësia jonë është më e madhe ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të vendosim drejtësinë”, tha presidenti Thaçi në konferencë shtypi.
Duke u nisur nga mandati kushtetues si president, për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe si përfaqësues i unitetit të popullit të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi tha se sot i ka dërguar katër letra në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe në adresë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për t’i inkurajuar që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë një numri të rasteve që shqetësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, shkatërrimet e pasurisë, veçanërisht ato të trashëgimisë historike e kulturore, ende presin të marrin përgjigjen e merituar nga drejtësia”, tha presidenti Thaçi.
Në letrën e parë, presidenti Thaçi ka theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës. “Rastet e njohura të krimeve të rënda të luftës, siç është masakra kundër familjes Jashari në Prekaz, masakra në Reçak, në Izbicë, në Abri të Epërme, në Krushë të Madhe, në Likoshan, në Mejë, në Dubravë, në Qyshk, në Lubeniq, në Grashticë apo kudo tjetër në Kosovë, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia”, tha presidenti Thaçi.
Në letrën e dytë, ai ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike. Por, edhe për rastet si ai në Grackë të Vjetër të Lipjanit, rasti në Gorazhdec të Pejës, ku u vranë dy fëmijë dhe rasti i sulmit në autobusin e “Nish-ekspresit”, në afërsi të Podujevës.
Ndërsa, në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.“Kjo plagë është mbajtur e heshtur mjaft gjatë”, tha ai.



