
Autoritetet japoneze po japin alarmin për bumin e rezervimeve turistike në malin Fuji, duke denoncuar rreziqet për sigurinë e vizitorëve të shumtë dhe për mbrojtjen e zonës së trashëgimisë së UNESCO-s, simbol i arkipelagut. Shoqatat turistike dhe grupet lokale kanë paralajmëruar guvernatorin e departamentit Yamanashi, pikënisja e shtegut më të njohur lidhur me rreziqet. Duke marrë parasysh numrin e “paprecedentë” të prenotimeve të regjistruara tashmë për t’u ngjitur në vullkanin e famshëm aktiv, në një lartësi prej 3776 metrash, zyrtarët lokalë u kërkojnë autoriteteve kompetente që të kufizojnë hyrjet në vend me një sistem kuotash. Mali Fuji, i cili në vitin 2023 do të festojë dhjetë vjet nga regjistrimi i tij si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është vendi natyror më emblematik i Japonisë, i hapur për publikun vetëm në verë, midis korrikut dhe fillim shtatorit, pasi është i mbuluar me borë në pjesën më të madhe të vitit. Kërcimi i rezervimeve i atribuohet përfundimit të kufizimeve në lidhje me pandeminë Covid-19 , rihapjes së plotë të kufijve të Japonisë si dhe 10-vjetorit të anëtarësimit në UNESCO. Çdo vit disa qindra njerëz ngjiten në majë natën për të parë lindjen e diellit. Këtë vit, për shkak të pjesëmarrjes rekord të pritshme, ekziston një rrezik real që ata që nuk janë në gjendje të rezervojnë një strehë mund të zgjedhin të ngjiten në mal pa u ndalur. Një situatë që mund të rrisë rrezikun e sëmundjes në lartësi dhe hipotermisë, paralajmërojnë nënshkruesit e letrës së kërkesës. Shtigjet e mbipopulluara gjithashtu rrisin rrezikun e rrëshqitjeve të dheut, tha një zyrtar i qytetit të Fujiyoshida, një nga komunat nënshkruese të apelit. Në veçanti, ai është i shqetësuar për turistët e huaj, të cilët, të pavetëdijshëm për rreziqet e mundshme të ngjitjes në vullkan, mund të duan të ndërmarrin ngjitjen të papërgatitur. Vullkani, i vendosur rreth dy orë me tren nga qendra e Tokios, i dukshëm nga larg në ditët e qarta, është përjetësuar në vepra të panumërta të artit japonez, duke përfshirë të famshmen “Vala e Madhe” nga mjeshtri i printimeve Hokusai.



