Reshjet intensive të shiut kanë vijuar edhe gjatë orëve të natës në Gjirokastër, duke shkaktuar probleme në infrastrukturën e disa rrugëve dytësore brenda qytetit. Po ashtu raportohet për përrenj që kanë dalë nga shtrati dhe përmbytjen e dy rrethrrotullimeve dhe dy trotuareve. Korrespondentja Jonida Qirko në një raportim për Mcn Live bën me dije se situata e krijuar tregon se ka probleme me kanalizimet brenda qytetit.
“Reshjet kanë qenë intensive sidomos gjatë natës, duke sjellë probleme në infrastrukturën rrugore. Kryesisht kemi patur probleme në disa lagje brenda Gjirokastrës, që kanë probleme duke qenë se janë edhe rrugë dytësore, s’janë të asfaltuara, dhe për shkak të prurjeve kanë pasur probleme duke vështirësuar edhe lëvizjen e banorëve. Ka pasur përrenj që kanë dalë nga shtrati, kjo edhe për shkak se kanë qenë të bllokuara, efekti i mbeturinave dhe mospastrimi në kohë. Dy rrethrrotullime u përmbytën duke bërë që uji të dalë dhe të vërshojë, si dhe dy trotuare, çka do të thotë që ka probleme me kanalizimet edhe brenda qytetit të Gjirokastrës. Lazarati pati probleme me përroin e Sopotit që doli nga shtrati, duke sjellë probleme për dy lagje. Pati një ndërhyrje dje rreth drekës, ku u bë pastrimi i inerteve deri diku dhe sistemimi i shtratit. Kemi patur problematika në energjinë elektrike, problem mbetet Bashkia e Dropullit që ka një ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike”.



