Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e mbështetur nga PD-ja e Rithemelimit, po protestojnë sot kundër korrupsionit para godinës së Bashkisë së Tiranës. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e akuzuar atë si të implikuar në aferën për "5D", për të cilën janë arrestuar disa drejtorë të bashkisë.
Në fjalën e mbajtur aktori Mehdi Malkaj e konsideroi Veliajn "një kriminel" ndërsa bëri thirrje për përmbysje:
"Për mua nuk jemi në kohë rotacioni të pushtetit, ne jemi në emergjencë të madhe çfarë do bëjmë. Shqipëria është shitur copa-copa, nuk ka më Shqipëri. Duhet të marrim masa urgjente, të ngrihet populli. Nuk ka kohë për rotacion, është fjala për përmbysje. Këta analistët që dalin në ekrane që janë të krehur dhe të ngrehur, patjetër duhet të gjejnë një gjë që ku s’ka edhe aq faj. Për mua ky është kriminel. Por është Edi Rama pa jeton ky. Duhet të mbarojmë punë me Veliajn dhe të hidhemi nga Kryeministria. Zotërinj policë bëni edhe ju një monolog të vogël me veten tuaj, me ndërgjegjien tuaj, a duhet ta mbani më atë kapele në kokë, me shqiponjë?!”.



